Ballina Kulturë ‘Jo dhe aq të rinj’, Gent Hazizi tregon mbi filmin: Pasqyrë e...

‘Jo dhe aq të rinj’, Gent Hazizi tregon mbi filmin: Pasqyrë e jetës së përditshme të njerëzve të zakonshëm

15
0

Në një kohë kur kinemaja shqiptare shpesh dominohet nga figura të karikaturizuara dhe histori të ngjashme, një prodhim i ri vjen për të sfiduar pritshmëritë. “Jo dhe aq të rinj” është filmi më i ri me skenar dhe nën interpretimin e aktorit Gent Hazizi, i cili sjell një frymë të re dhe urbane, duke u larguar qëllimisht nga klishetë e personazheve “të fortë” me mjekër dhe armë.

Në një intervistë në Syri Tv, Hazizi ka zbuluar prapaskenat e këtij projekti ambicioz, duke e përshkruar si një pasqyrë të jetës së përditshme të njerëzve të zakonshëm. Sipas tij, personazhet e filmit janë “urbanë, inatçorë, pa skrupuj, por njerëzorë”. Ata përfaqësojnë atë që Azizi e quan “publiku gri”, shtresa e shoqërisë që nuk merret drejtpërdrejt me politikë, por që përballet me sfidat e vogla dhe të mëdha të jetës.

Projekti ka pasur një rrugëtim interesant nga koncepti në ekranin e madh. Fillimisht, materiali i xhiruar arrinte në 250 minuta, i menduar për një format serial. Megjithatë, së bashku me regjisorin dhe producentin Dionis Papa Dimitri, u mor vendimi për ta shndërruar në një film 100-minutësh për kinema. “Pse të mos e provojmë? Askush nuk e ka bërë më parë,” shprehet Azizi, duke theksuar dëshirën për të sjellë diçka ndryshe.

Në kast spikasin emra të njohur si Indrit Çobani, Gent Deçka, Çubi Metkaj, Bujar Asqeriu, Rita Lati, si dhe një rikthim i shumëpritur i aktorit Kosta Kameri. Azizi shpjegon se të shkruarit e skenarit ishte më e lehtë pasi u përzgjodhën aktorët, pasi mund t’i përshtaste batutat dhe dialogët specifikisht për stilin e tyre.

Një nga aspektet më befasuese të prodhimit, siç rrëfen vetë Hazizi me humor, ka qenë financimi. Ndryshe nga shumë projekte që përballen me vështirësi financiare, “Jo dhe aq të rinj” ka pasur mbështetjen e një sponsori unik, gjë që e ka lehtësuar të gjithë procesin. “I vetmi problem që ka pasur ky serial është se nuk ka pasur probleme me lekët,” pohon ai, duke theksuar se kjo liri i ka lejuar ekipit të fokusohet plotësisht te pjesa kreative.

Duke shmangur dhunën e pajustifikuar dhe skenarët e çuditshëm që kanë mbushur ekranet kohët e fundit, “Jo dhe aq të rinj” , synon sipas Hazizit, të jetë një film “kundër-rrymë”, një propozim i freskët dhe argëtues për publikun shqiptar, i cili aktualisht po shfaqet në Kinema Millennium.