Të paktën 25 persona u vranë kur militantë të dyshuar të grupit Boko Haram sulmuan një qytet në veri të Nigerisë.
Ky është sulmi islamist më vdekjeprurës i raportuar që nga dita e Krishtlindjes, kur presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi bombardime ajrore.
Siç shkruan Reuters, viktimat ishin punëtorë që kishin udhëtuar drejt qytetit Sabon Gari në shtetin verilindor të Borno-s për të punuar në një kantier ndërtimi, kur persona të armatosur sulmuan të enjten dhe hapën zjarr.
Aliyu Ndume, një senator që përfaqëson rajonin, tha se ishte “i tronditur dhe i pikëlluar” nga vrasja e bashkëqytetarëve të tij.
Në një sulm tjetër militant, po të enjten në Borno, të paktën nëntë ushtarë dhe dy anëtarë të një force civile ndihmëse u vranë nga luftëtarë që sulmuan një bazë ushtarake para agimit. Gjithsej 16 persona u plagosën.
Borno, ku luftëtarët e Boko Haram dhe të Islamic State West Africa Province (ISWAP) kanë intensifikuar sulmet ndaj autokolonave ushtarake dhe civilëve, mbetet epiqendra e kryengritjes islamiste 17-vjeçare.
Nigeria, e goditur nga sulme islamiste dhe rrëmbime masive, është nën presion shtesë për të rikthyer sigurinë, pasi Trump e akuzoi vitin e kaluar se nuk po mbron të krishterët.
Forcat amerikane goditën atë që e përshkruan si objektiva terroristë më 25 dhjetor. Autoritetet nigeriane thonë se po bashkëpunojnë me Uashingtonin për të përmirësuar sigurinë.







