Nga Ish-Uzina e Autotraktorëve te Kombinati Mekanik në Poliçan, nëntë reparte e fabrika do të rivitalizohen për t’u vënë në funksion të industrisë ushtarake shqiptare.
Ish-Uzina e Autotraktorëve do të përdoret për prodhimin e uniformave dhe montimin e mjeteve të blinduara, transportuesve të artilerisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave. Aty do të ngrihet një impiant i teknologjisë të lartë mes kompanisë KAYO dhe Timak, që përfshin investim në teknologji moderne dhe inovative për prodhimin e automjeteve ushtarake dhe uniformave me cilësi të lartë për Forcat e Armatosura dhe Policinë.
Investimi i dytë është për rikthimin e Shkollës së Aviacionit në Vlorë. Kjo falë bashkëpunimit të kompanisë shtetërore KAYO dhe kompanisë e izraelite Elbit Systems Ltd. Memorandumi mes dy kompanive u firmos pikërisht një vit më parë në Vlorë. Ky bashkëpunim do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve për ofrimin e programeve të edukimit dhe trajnimit të pilotëve dhe të kontrollorëve të fluturimit, duke i siguruar Forcave të Armatosura kapacitete të qëndrueshme në këtë sektor. Kjo shkollë do të gjenerojë jo vetëm pilotë ushtarakë, por edhe pilotë civilë.
Së treti, Uzina e Bakrit në Rubik do të kthehet në një uzinë të prodhimit të armëve. Kjo është një nga pikat ku do të investohet dhe do të prodhohet për Forcat tona të Armatosura, por në masën më të madhe për eksport.
Ministria e Mbrojtjes ka marrë një nismë ligjore për rivitalizimin e uzinave ushtarake, siç është edhe Kombinati Mekanik i Poliçanit, Mjekësi dhe Gramshi.
Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës ka qenë ndërmarrja që ka mbajtur peshën kryesore në procesin e demontimit industrial të municioneve të tepërta. Ministria e Mbrojtjes dhe kompania shtetërore “KAYO sh.a.” po punojnë për ndërtimin e një fabrike municionesh në zonën e Kodër Babrrusë.
Gjithashtu, në fokus është edhe transformimi dhe zgjerimi i bazës ajrore ekzistuese në Kuçovë./Scan







