Ballina Aktualitet Skandali/ Gjashtë fytyrat që shpëtuan Irena Gjokën

Skandali/ Gjashtë fytyrat që shpëtuan Irena Gjokën

27
0

Këshilli i Lartë i Gjyësortit i ka shtuar sot një tjetër njollë të errët drejtësisë së rilindur duke vendosur me 6 vota mospranimin e nisjes së procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka, pas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme ku kjo e fundit mbërrinte në konkluzionin se Gjyqtarja e GJKKO-së kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit.

Pro raportit të Prokurorisë së Përgjithshme kanë votuar katër anëtarë, ndërsa për turpin e tyre gjashtë të tjerë, Yllka Rupa, Ridvan Hado, Markelian Koçaj, Emona Muçi, Klodian Kurushi dhe kreu Ilir Rusi, janë sjellë si kamikazë politikë duke votuar pro Irena Gjokës.

Irena Gjoka është vërtetuar se ka gënjyer më shumë se një herë në kuadratet e formulartit të dekriminalizimit gjatë kohës së vettingut: Ajo ka mohuar të ketë qenë e dënuar me vendim të formës së prerë jashtë vendit, të ketë qenë e dëbuar nga ndonjë vend i BE-së (shiko poshtë). Mjafton verifikimi i kësaj gjëje i kryer tashmë nga prokuroria që ajo ta humbiste automatikisht mandatin e gjyqtares.

Që kur plasi ky skandal në mediat greke, pasi ajo qe gjyqtarja e procesit kundër Fredi Belerit, vetë Maneku ka mbajtur qëndrimin se ajo nuk ka qenë në dijeni të asaj që kanë vendosur autoritetet greke pas shpinës së saj.

Edhe në letrën mbrojtëse që ajo ka dërguar ditët e fundit para KLGJ-së, Irena Gjoka-Maneku-Shpata pretendonte se vetëm i është refuzuar, pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni, as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor.

Por, në Maj të 2025, Lapsi arriti të sigurojë një dokument që e nxirrte blof gjykatësen e GJKKO-së. Ky dokument tregonte se ajo jo vetëm e ka ditur se ka qenë e dëbuar dhe e dënuar për kalim kufiri me dokumente të falsifikuara, por ajo ka marrë avokat në Greqi dhe i ka bërë atij prokurë për të kundërshtuar masat ndaj saj.

Irena, që në këtë kohë mbante ende mbiemrin Maneku, bashkë me bashkëshortin e fundit, Stefanaq Gjokën kanë bërë prokurë në 2003-shin (faksimilja poshtë) tek një noter në Fier, për të autorizuar një avokat në Patra, me emrin Andon Konomi, për të ndjekur çështjen e tyre.

Kjo prokurë e datës 31 mars 2003, para noterit Fejzo Behaj, dëshmon më së miri me vetë gojën e Irena Gjokës se ajo e pranon së është dëbuar nga Greqia (dokumenti poshte). Pikërisht për këtë ajo ka bërë përçapje edhe për ta kundërshtuar me avokat këtë masë.

Dënimi i saj është konfirmuar së fundi edhe nga Prokuroria e Përgjithshme që ka bërë sot që 4 nga anëtarët e KLGJ ta mbështesin atë dhe të kërkojnë shkarkimin e saj. Ndërsa shumica me gjashtë të tjerë ka vendosur pro sorrollatjes duke dashur ta çojë dosjen në një institucion tjetër, pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Sepse është zgjedhur kjo manovër thellësisht politike, kuptohet lehtë. Irena Gjokës i janë besuar të gjitha proceset e goditjes kundër opozitës, nga ai Berisha, Meta, Mediu, Beleri. Ajo ishte gjykatësja që u akuzua se mbajti mbi një muaj në sirtar dosjen e ardhur nga jashtë të bandës së Troplinëve, deri sa ata të përdoreshin për zgjedhjet në zonën ë Durrësit.

Ajo ka qenë gjithashtu gjyqtarja e shefit të operacionales, Oltion Bistri, tashmë i liruar. Kjo nuk është hera e parë që ky margaritar i pushtetit mbrohet nga KLGJ. Kur plasi skandali i dënimit të saj ky organ doli me deklaratë se akuzat ndaj saj ‘korruptonin pavarësinë e gjyqesorit’.

Prandaj dhe votat e Ilir Rusit, Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelian Koçajt, Emona Muçit dhe Klodian Kurushi nuk mund të shihen të paligjura me këtë koktej mes politikës dhe krimit.