Në fjalën e tij përpara protestuesve të mbledhur në sheshin përpara Kryeministrisë, ku po zhvillohet protesta e “Shqipëria Bëhet”, kreu Adriatik Lapaj kërkoi nga qytetarët që të bashkohen të gjithë kundër qeverisë së Edi Ramës.
Duke përmendur abuzimet me tenderat nga zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, njëherës ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është zyrtarisht nën akuzë nga SPAK, apo edhe dosjen e bujshme të AKSHI-t, të pandehurit e së cilës akuzohen se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, Lapaj tha se koha është për të vepruar kundër të korruptuarve.
“Nuk ka më kohë. Koha është tani, bashkimi duhet të ndodhë tani. Secili nga ata që më dëgjon ta pyesë veten se për çfarë mund të rrëzohet një qeveri nëse nuk rrëzohet kur kapet me një abuzim 53 mln euro nga zv kryeministrja, për çfarë mund të dorëhiqet një qeveri nëse nuk dorëhiqet apo nuk detyrohet të dorëhiqet kur kapet për një pazar 100 mln euro nga AKSHI, nëse ekonomia shkon pikiatë si këtu apo qindra mijëra largohen. “, theksoi Lapaj.
Sipas tij, çdo ditë që kalon Rama do të forcojë autokracinë e tij dhe me skandalet, do t’u vjedhin edhe më shumë jetën dhe të ardhmen e qytetarëve.
“Pse duhet të ikin nesër pasnesër, pas 5 vjetëve apo 10 vjetëve. Çdo ditë që kalon forcon autokracinë e tyre, diktaturën e tyre dhe çdo skandal që ndodh e bën edhe më të pamundur rrëzimin e atyre që sot ju vjedhin jetën, të tashmen dhe të ardhmen ndaj mendohuni mirë. Kjo është betejë mes një pakice që ka zaptuar zyrat dhe ndan paratë e buxhetit dhe një shumice të vuajtur.”, u shpreh ai.







