Ballina Politika Dosjet Epstein tronditin Amerikën/ Edhe afera e McGonigal në mesin e dokumenteve

Dosjet Epstein tronditin Amerikën/ Edhe afera e McGonigal në mesin e dokumenteve

24
0

Publikimi i dosjeve Epstein ka tronditur jo vetëm Amerikën. Në mesin e të paktën tre milionë dokumenteve shfaqet disa herë edhe afera e McGonigal në Shqipëri.

Publikimi i këtyre dokumenteve erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një ligj që kërkon publikimin e plotë të dokumenteve që lidhen me abuzuesin seksual, Jeffrey Epstein.

Hera e parë kur shfaqet emri i McGonigal në këtë dosje është më 29 janar 2024, kur është shpërndarë një dokument me informacione nga zhvillimet në FBI.

Në pjesën e kundërzbulimit është një pjesë ku flitet për McGonigal.

“Daily Mail raportoi se Charles McGonigal, një ish-drejtues i kundërzbulimit në Nju Jork për FBI-në, ka shkaktuar një shqyrtim të brendshëm të hetimeve të tij të kaluara për shkak të dënimit të tij për komplot me një oligark rus të sanksionuar, Oleg Deripaska, dhe fshehjen e një ryshfeti nga një zyrtar i inteligjencës shqiptare”.

“Rishikimi i çështjeve të kaluara të McGonigal tregon shqetësimin e thellë brenda FBI-së në lidhje me ndikimin e mundshëm të veprimeve të tij në hetimet kryesore gjatë karrierës së tij 22-vjeçare”, thuhet në dokument.

Më pas emri i McGonigal shfaqet edhe më 8 shtator 2025. Këtë herë sërish raportohet për aferën e tij në përmbledhjen e lajmeve për FBI-në.

“National Review raportoi se ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, i cili dikur drejtonte divizionin e kundërzbulimit të byrosë në New York, i kishte zbuluar informacione konfidenciale në lidhje me një hetim të FBI-së ndaj konglomeratit kinez CEFC, një punonjësi të lidhur me Hunter Biden, sipas një raporti të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë. Hetuesit zbuluan se McGonigal e kishte informuar bashkëpunëtorin e CEFC-së për hetimin e FBI-së disa herë në vitin 2017, përfshirë gjatë një udhëtimi në Florida dhe në një telefonatë të mëvonshme ku tha, “ne jemi gati për ta”, përpara se ekzekutivi i CEFC-së, Patrick Ho, të arrestohej për akuza ryshfeti”.

Edhe në dokumentin e datës 9 shtator 2025 thuhet se McGonigal ka pasur në dorë një seri dosjesh të bujshme me ndikim të thellë politik.

“Pas dënimeve në vitet 2023 dhe 2024 për pastrim parash dhe marrjen e pagesave nga një oligark rus dhe një zyrtar shqiptar, McGonigal mbetet nën vëzhgim ndërsa zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë shqyrtojnë nëse pozicioni i tij i kompromentuar mund të ketë njollosur hetime të tjera të mëdha të FBI-së që shtrihen në dekada,” thekson dokumenti.