Ballina Aktualitet Goditje në heshtje ndaj SPAK: Mbrojtja për Dumanin miratohet në letra, por...

Goditje në heshtje ndaj SPAK: Mbrojtja për Dumanin miratohet në letra, por mungon në terren

31
0

Një tjetër goditje e heshtur ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhet me mbrojtjen e ofruar për prokurorët e saj. Edhe pse institucionet, në mënyrë formale, miratojnë masa shtesë sigurie, në praktikë ato mbeten vetëm në letër.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar një kërkesë për mbrojtje shtesë, të paraqitur nga Drejtuesi i SPAK, për ish-drejtuesin Altin Dumani dhe prokurorin e çështjes “Balluku”, z. Dritan Prenci. Vendimi është marrë nga Komisioni i Posaçëm për Mbrojtjen e Prokurorëve pranë KLP-së në fillim të janarit.

Por pavarësisht këtij miratimi, zbatimi real i masave mbetet i pjesshëm. Sipas burimeve të VNA-së, ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka vetëm një mbrojtje të shtuar nga Policia e Shtetit, ndërsa nga Garda e Republikës nuk ka asnjë masë shtesë sigurie.

Aktualisht, mbrojtja personale e tij kufizohet në mbrojtjen standarde dhe automatike që parashikohet nga VKM nr. 478, datë 10.07.2019. Pra, edhe pse kërkesa për mbrojtje të posaçme është miratuar nga KLP, nga Garda e Republikës nuk rezulton asnjë veprim konkret për zbatimin e saj. Arsyet, edhe pse nuk dihen zyrtarisht, mund të nënkuptohen në kontekstin aktual, kur SPAK ndodhet në krye të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Në një moment kur Prokuroria e Posaçme po heton çështje me peshë të lartë politike dhe ekonomike, mungesa e mbrojtjes efektive ngre pikëpyetje serioze mbi garancitë reale që shteti u ofron prokurorëve që mbajnë peshën e hetimeve më të rëndësishme që mund të jenë zhvilluar në historinë 30-vjeçare të demokracisë në Shqipëri.