Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit që e ka kërkuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), raportojnë mediat në Kosovë.
Kuvendi i ka zhvilluar punimet me dyer të mbyllura. Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave – rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës. Por, disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim.
Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.
“Unë kam zgjedhur të dalë para jush, jo sepse e kam të lehtë, por sepse e ndjej të domosdoshme, sepse kam besuar gjithmonë se njeriu nuk matet kur gjithçka shkon mirë, por kur duhet të flasë edhe atëherë kur fjala i dridhet”, ka thënë Abdixhiku gjatë fjalimit të mbajtur të shtunën para Kuvendit partiak.







