Në Muzeun Kadare u zhvillua përurimi i librit më të ri të kuratores së artit dhe skulptores Suzana Varvarica Kuka, i titulluar “Rrethi i përsosur”.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm miq dhe dashamirës të autores, u ndanë vlerësime dhe konsiderata për veprën e saj. Paneli përbëhej nga botuesja, Elda Vela, gazetari i mirënjohur Ilirian Agolli, si dhe e bija e autores, e cila ka shkruar edhe parathënien e librit.
“Rrethi i përsosur” është një koleksion tregimesh të shkurtra, ku ndërthuren realizmi magjik dhe një dimension i fortë psikologjik. Me syrin e artistes, Suzana Varvarica kap hollësi të trupit, qytetit dhe përditshmërisë, duke dëshmuar se arti nuk njeh kufij: fjala mund të gdhendet po aq fort sa guri.
Në punën e saj si skulptore, Varvarica Kuka është e njohur për trajtimin e trupit dhe formës njerëzore si hapësira reflektimi. Kjo marrëdhënie midis materies dhe ndjesisë shfaqet edhe në krijimtarinë e saj letrare. Ajo i qaset figurës njerëzore jo si përfaqësim, por si proces, si kërkim i asaj që fshihet nën sipërfaqe. Pikërisht ky vizion kalon natyrshëm në prozën e saj.







