Pas ndarjes nga jeta të aktores së njohur Catherine O’Hara, mediat e huaja kanë rikujtuar një detaj pak të njohur për publikun lidhur me shëndetin e saj.
Aktorja kishte treguar se kishte lindur me një gjendje të rrallë gjenetike të quajtur situs inversus, një anomali kongjenitale në të cilën organet e brendshme janë të vendosura në mënyrë të përmbysur, si pasqyrë, krahasuar me anatominë normale të trupit.
Në rastin e saj, zemra ndodhej në anën e djathtë të kraharorit, një formë e kësaj gjendjeje e njohur si dextrocardia.
Sipas Cleveland Clinic, situs inversus prek rreth një në 10 mijë persona dhe, në shumicën e rasteve, nuk shkakton simptoma apo probleme serioze shëndetësore. Mediat theksojnë se nuk ka asnjë provë që kjo gjendje të ketë lidhje me vdekjen e aktores.
Në një intervistë të vitit 2020, Catherine O’Hara kishte folur hapur dhe me humor për këtë veçori të rrallë të saj:
“Jam një e çuditshme!”, ishte shprehur ajo duke qeshur.
Aktorja tregoi se e kishte zbuluar gjendjen e saj rastësisht, më shumë se 20 vite më parë, gjatë disa kontrolleve mjekësore rutinë:
“E dua mjekësinë perëndimore, thjesht nuk dua të jem pjesë e saj. Por më duhej të bëja një test për tuberkuloz, kur fëmija ynë më i vogël ishte në kopësht. Mjeku tha të bënim disa analiza bazë dhe njëra prej tyre ishte EKG-ja”, tregonte ajo.
Sipas saj, mjeku u hutua fillimisht nga rezultatet dhe provoi dy pajisje të ndryshme, përpara se t’i kërkonte një radiografi të kraharorit.
“Unë thashë: ‘Çfarë po ndodh?’ Pastaj na thirri në zyrë dhe tha: ‘Je personi i parë që kam takuar ndonjëherë!’”, kujtonte aktorja, duke shtuar se ishte hera e parë që dëgjonte për termin situs inversus.
Ajo tregonte se lajmi e kishte befasuar edhe për faktin se vinte nga një familje e madhe: “Jam një nga shtatë fëmijë dhe prindërit e mi kishin ndërruar jetë. Nuk kisha dëgjuar kurrë asgjë për këtë. Po kthehesha në shtëpi dhe mendova: ‘Po vëllezërit dhe motrat e mi, a e dinë se nga cila anë e kanë zemrën?’”
Me humor, ajo kujtonte edhe reagimin e bashkëshortit të saj pasi mjeku i tregoi se zemra e saj ishte në anën e djathtë:
“Kur doktori na tha se zemra ime është në anën e djathtë dhe se organet e mia janë të përmbysura, burri im tha menjëherë: ‘Jo, jo… asaj i është kthyer koka mbrapsht’”, tregonte ajo me të qeshur.







