Nga dr. Çelo Hoxha
Në mars 1945, në Shqipëri erdhi një trupë teatrore jugosllave me një dramë të titulluar ‘Pushtimi’. Ajo u përcoll të luhej në rrethe – si Elbasan, Korçë, etj, – por jo në kryeqytet. Kinema ‘Kosova’, e vetmja në Tiranë që kishte skenë të përshtatshme për teatër, ishte e zënë. Aty zhvillohej ‘Gjyqi Special’. Ajo që u luajt në atë skenë nuk ishte dramë, por tragjedi e vërtetë, në fund të së cilës u ekzekutuan 17 persona dhe përfunduan në burgime të gjata, 39 persona të tjerë. Për regjimin, Gjyqi ishte festë linçimi publik i 60 njerëzve të pafajshëm, pjesa më e madhe personalitete me kontribute të dobishme në historinë e Shqipërisë.
Historia e ‘Gjyqit Special’ fillon më 15 dhjetor 1944, me vendimin e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, për krijimin e tij. Neni 1 i vendimit thotë: “Të krijohet një Gjyq Special në Tiranë, për kriminelët kryesorë të luftës, shqiptarë ose të huaj”.
Nga shqyrtimi i dokumenteve, duket që vetë anëtarët e gjyqit (ose gjykatës) kanë qenë konfuz nga fakti që KANÇ-i, urdhëroi krijimin e një Gjyqi dhe jo një Gjykate. Në kokën e proces-verbalit të Gjyqit, është shkruar: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë/ Gjyqi Special për krijimin e kriminelëve kryesor të luftës dhe armiqve të popullit, Tiranë”. Kurse kokën e vendimin të gjyqit, shkruhet: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë/ Gjykata Speciale e Tiranës”.
Siç e dimë, gjykata është, dhe kështu ka qenë gjithmonë, institucion (strukturë ligjesh dhe njerëzish), ndërsa Gjyqi është, e kështu ka qenë gjithmonë, një proces që ndodh në gjykatë. Veç kësaj, një dallim tjetër i rëndësishëm mes këtyre dy koncepteve është: Gjykata nënkupton një institucion drejtësie, gjyqi nënkupton kryesisht një proces ndëshkimi.
Mendësia që kishte çuar në krijimin e gjykatës, kishte përparësi ndëshkimin, jo drejtësinë. Bazuar në dokumentet e tij, ‘Gjyqi Special’ nuk kishte lidhje me drejtësinë. Ai ishte një gjyq partizan, i cili, në vend të maleve, u zhvillua në kërthizë të Tiranës dhe qytetërimit shqiptar. Mesazhi që përcjell formulimi i nenit 1 të vendimit 26, është: “arrestoni ca persona, gjykojeni dhe ekzekutojeni ose futini në burg”.
Ky vendim i KANÇ-it nuk ndryshon shumë nga vendimi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, 24 mars 1944, për gjykimin e një komandanti partizan, të cilin udhëheqja dëshironte ta hiqte qafe: “Tele Baçin duhet ta arrestoni, t’i bëni gjyq dhe ta pushkatoni”.
Komitetit Qendror nuk i interesonte procesi, por fundi i tij, vrasja e personit. Ndryshimi i gjyqeve partizane me atentatet, është që gjyqet përfshijnë më shumë njerëz në vrasje. Në kohën e ‘Gjyqit Special’, KANÇ-i dhe Komiteti Qendror i PKSH-së, kishin thuajse të njëjtën përbërje që kishin pasur në mars 1944.
Në kohën që u krijua Gjykata Speciale, Shqipëria komuniste nuk kishte ligj për krimet e luftës, por, sipas vendimit 26, “kriteret mbi kriminelët e luftës, dënimi i tyre dhe procedura të bëhen në bazë të rregullores mbi gjyqet ushtarake”. Ligji nuk e përcakton cila ishte kjo rregullore: me datë, numër dhe organin që e kishte miratuar. Në arkiva gjenden disa rregullore që kanë qarkulluar në duart e komandave partizane gjatë luftës (përkthime nga ushtria e komunistëve jugosllavë).
Këto rregullore, ose ajo që përmendet në vendim, kanë rëndësi vetëm për faktin se, duke këqyrur dokumentet e Gjyqit, zbulojmë që baza ligjore nuk është “rregullorja” e përmendur në vendim, por; “Ligji mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”, nr. 41, i botuar në Fletoren Zyrtare, më 23 janar 1945. Megjithatë, ‘Gjykata Speciale’ nuk i qëndroi besnike as detyrës që i ngarkonte Vendimi nr. 26 për krijimin e saj dhe as Ligjit nr. 41.
‘Gjykata Speciale’ gjykoi 60 persona. Nga ata, 24 u dënuan si kriminelë lufte, 17 me vdekje dhe 7 me burgime të ndryshme. Gjithë të pandehurit e tjerë u dënuan për akuzën “armik i popullit”, e cila nuk ishte në juridiksionin e ‘Gjykatës Speciale’. Detyra e saj ishte e përcaktuar qartë: të gjykonte kriminelët kryesorë të luftës, shqiptarë ose të huaj. Ata që konsideroheshin “armiq të popullit”, mund të ishin gjykuar nga një gjykatë tjetër.
Në Akt-akuzë, Prokurori u shpreh se krimet për të cilat akuzoheshin të pandehurit, parashikoheshin në nenin 14 dhe 15 të Ligjit nr. 41. ‘Gjykata Speciale’, nëse do të ishte e interesuar për zbatimin e ligjit dhe dhënien e drejtësisë, nuk duhet t’i konsideronte për gjykim akuzat bazuar në nenin 15, sepse ai nen përfaqësonte kriminelët e quajtur “armiq të popullit”.
Me përmbajtjen e Pretencës së prokurorit, gjërat ishin më të lehta. Ajo kishte një mal me akuza, për njerëz që atë çast ndodheshin në emigrim ose, kishin vdekur gjatë Luftës, por nuk kishte asnjë referencë ligjore. Nga 60 të pandehurit, në Pretencë u përmendën shumë pak prej tyre. Më shumë se një dokument profesional, ajo ishte një fjalim politik vulgar.
Në vendimin e Gjykatës Speciale, ka dhe artikulime qesharake në nivele të paimagjinueshme, por që, fatkeqësisht, pasojat ishin të rënda: u shkatërruan shumë fate dhe u shkaktuan shumë drama njerëzore. Sipas vendimit, gjykata e ka formuluar kështu dënimin për 13 nga të pandehurit: “Për kriminelët e luftës ose armiqtë e popullit… nga 30 vite burg e punë të detyrueshme” ose “nga 15 vjet burg e punë të detyrueshme”!
Pas një muaji e gjysmë gjyq, ‘Gjykata Speciale’ nuk kishte arritur dot të përcaktonte se çfarë lloj krimesh kishin kryer të pandehurit në fjalë, që t’i deklaruar si “kriminelë lufte”, apo si “armiq të popullit”, apo të dyja bashkë. Padyshim, që dyzimi i gjykatës tregon se ata nuk ishin as njëra dhe as tjetra, por ishin krejt të pafajshëm. Këta 13 persona po i listoj: Sokrat Dodbiba, Mihal Zallari, Etëhem Cara, Ndoc Naraçi, Andon Kozmaçi, Lazër Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçiterni, Gjergj Bubani, Rrol Kolaj, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Jakov Milaj.
‘Gjykata Speciale’ dha 19 vendime me vdekje, dhe ekzekutoi 17 prej tyre. Çfarë u bë me dy të tjerët? Po kjo Gjykatë, në të njëjtin vendim, dy prej të dënuarve me vdekje – Qemal Vrionit dhe Tefik Mborjes – ua hoqi këtë masë dhe i dënoi me burg. Këtë vendim Gjykata e argumentoi kështu: “Qemal Vrioni ishte dorëzuar para afatit të caktuar nga KANÇ-i për dorëzimin e kriminelëve, ndërsa Tefik Mborja, pas rënies së qeverisë së Shefqet Vërlacit më 1941, ishte tërhequr nga politika, kishte simpatizuar ‘Lëvizjen’, e kishte ndihmuar atë”, etj.
Nga ana njerëzore, ky diletantizëm juridik ka qenë një gjë e mirë, sepse shpëtoi nga vdekja dy jetë njerëzish, por nga ana juridike, ky veprim është një turp në historinë e institucioneve të drejtësisë shqiptare.
Historikisht, në Shqipëri e në vende të tjera, vendimet e një gjykate janë ndryshuar (dhe në periudhën para vitit 1945), vetëm nga një gjykatë superiore. Kjo ndodhi jo vetëm pse më 1945 në Shqipëri ishte shkatërruar sistemi gjyqësor, por dhe për shkak të formimit të mangët juridik e qytetar të njerëzve që ishin ngarkuar të bënin detyrën e gjykatësve, prokurorëve, etj.
‘Gjyqi Special’ – Akt-akuza
Ligji 41, neni 14, konsideronte kriminel lufte, atë person ose grup personash që kishin frymëzuar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar këto vepra kriminale: vrasje/ tortura/ turpërim femrash/ shpërngulje të detyrueshme popullsish/ dërgim në fusha përqendrimi/ dërgim popullsish në punë të detyrueshme/ grabitje, djegie, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasurisë shtetërore e private/ ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmesa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste të okupatorit/ ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut.
Në akt-akuzë, Prokurori ngriti 11 akuza ndaj të pandehurve. Disa nga akuzat, edhe nëse do të kishin qenë të vërteta, nuk përbënin krim lufte. Të përmbledhura shkurtimisht këto akuza ishin:
Nga ana tjetër, disa akuza që dukej se përshkruanin veprimtari që përbënin krim lufte, gjithmonë bazuar në Ligjin 41, neni 14, si – pjesëmarrja në formacionet ushtarake të pushtuesit, ndihma në aparatet e terrorit dhe formacionet terroriste, shkatërrimi i urave, fushave, limaneve – si pasuri e popullit, nuk u vërtetuan.
Mënyra si akuzat ishin formuluar, për të cilën do të flas më tej, e tregon më qartë falsitetin e akuzave dhe pafajësinë e të pandehurve.
Në kinema “Kosova” kishte dhe njerëz me vetëdije të lartë ligjore, të cilët, për shkak se bazuar në logjikën e tyre qytetare, nuk kishin kryer asnjë krim, nuk u larguan nga Shqipëria dhe, fatkeqësisht, përfunduan para togës së pushkatimit, ngaqë njerëzit që përfaqësonin drejtësinë ishin një tufë injorantësh dhe servilë.
Kol Tromara, nuk ishte i diplomuar për drejtësi, nuk kishte arsim të lartë hiç, siç kishin pjesa dërrmuese e të pandehurve, por, kur prokurori i kërkoi ta quante Mustafa Krujën tradhtar, iu përgjigj: “Për Mustafa Krujën, deri s’ka ndonjë vendim gjyqi, s’mund të them se ka qenë tradhtar”.
Bahri Omari, i diplomuar për administratë e jo drejtësi, reagoi në përputhje me formimin e tij, kur tha se; “nëse Ismail Golemi ka thënë që ka bashkëpunuar ‘Balli’ me Gjermanët në Gjirokastër, ai duhet të ketë pasur letër të shkruar nga Komiteti Qendror”.
Solla vetëm dy shembuj, sa për të treguar se cila ka qenë pritshmëria e të pandehurve nga gjykata. Ata kanë pasur bindjen që gjykata do të gjykonte bazuar në dokumente e fakte, dhe kjo ishte fatkeqësia e tyre: ata kishin në kokë modele institucionesh të përgjegjshme.
Komisioni Qendror për zbulimin e krimeve e kriminelëve të Luftës, i dorëzoi ‘Gjykatës Speciale’ për gjykim materialet hetimore që u përkisnin të pandehurve të arrestuar. Përmbajtja e këtyre materialeve, të cilat nuk gjenden në dosjen e ‘Gjyqit Special’, të paktën jo në atë që mua më është vënë në dispozicion, nuk njihet.
Megjithatë, duke shqyrtuar dokumente që flasin për mënyrën e funksionimit Komisioni Qendror për krimet e kriminelët e luftës, shihet qartë që hetimet kanë qenë po aq diletante e, po aq të motivuara politikisht, sa gjykimi.
Më 22 dhjetor 1944, Komisioni Qendror u dërgoi një qarkore të gjitha Këshillave Nacionalçlirimtare të prefekturave dhe nënprefekturave, me anë të cilës urdhëronte krijimin e komisioneve hetuese për zbulimin e krimeve dhe kriminelëve të luftës, shqiptarë ose të huaj.
Komisionet do të përbëheshin nga 9 anëtarë: 2 anëtarë të Këshilli Nacionalçlirimtar të prefekturës ose nënprefekturës, një delegat i gruas antifashiste (komuniste), një anëtar i Rinisë Antifashiste, dy anëtarë të Ushtrisë nacionalçlirimtare, dy anëtarë të Frontit Nacionalçlirimtar dhe një gjykatës i emëruar nga komiteti ekzekutiv i prefekturës ose nënprefekturës.
Në rast se nuk gjendej një gjyqtar, atëherë vendin e tij e zinte një nga anëtarët e gjykatës ushtarake të zonës. Ky anëtar gjykate, jo domosdoshmërish mund të ishte me formim juridik, por në shumicën e rasteve mund të ishte dhe analfabet, ose me 3-4 klasë shkollë. Komisionin e kryesonte gjyqtari, ose personi që e zëvendësonte atë. Për zhvillimin e hetimeve nuk ishte e domosdoshme që të gjithë anëtarët e komisionit të mblidheshin bashkë, ata mund të punon veç e veç./ Memorie.al



