Pas gati gjashtë muajsh nga miratimi, ligji për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa ende nuk ka nisur zbatimin, për shkak të mungesës së akteve nënligjore nga Ministria për Pushtetin Vendor, që priten të dalin deri në fund të shkurtit.
“Ligji ka kaluar dhe ne jemi tashmë në proces. Do të hapim një fazë konsultimi për paketën e akteve nënligjore, ku do të përkufizohen më qartë përgjegjësitë e banorëve dhe roli i administratorit. Ne e dimë që bashkëpronësia ka shumë probleme në realitetin tonë të përditshëm, të cilat i përjetojmë edhe vetë në vendin ku banojnë” U shpreh ministri Demo në konferencën e fundit”, tha Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Si qyteti ku jeton rreth 25% e popullsisë së vendit, Tirana do të jetë edhe zona ku ligji do të ketë ndikimin më të madh në zbatim.
“Në fund të shkurtit pritet të miratohen aktet nënligjore dhe më pas do të nisë zbatimi. Ndryshe nga ligji i mëparshëm, këtë herë administratori është i detyruar të mbajë të gjitha shërbimet dhe pagesat në një libër regjistri, i cili do t’u vihet në dispozicion banorëve dhe bashkisë për transparence”, deklaroi Dritan Dango, përfaqësues i Bashkisë Tiranë.
Ligji parashikon edhe masa për rastet kur banorët nuk kryejnë pagesat për mirëmbajtjen e ambienteve të përbashkëta.
“Problemet e bashkëpronësisë kanë sjellë neglizhencë në mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Në rastet kur banorët nuk paguajnë, pagesat mund të mblidhen përmes përmbarimit, duke u zbritur drejtpërdrejt nga paga”, shtoi Dango.
Sipas ligjit të ri, pagesat e banorëve do të mblidhen nga administratorët e pallateve, të cilët duhet të jenë të regjistruar dhe të njohur zyrtarisht nga bashkitë përkatëse.







