Nesër në orën 13:00 pritet mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, por Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë. PS e kishte thirrur mbledhjen si një mundësi të fundit për PD-në, ndërsa Gazment Bardhi në Konferencë e Kryetarëve, la të kuptohet se PD do të ishte e pranishme dhe mungesën në mbledhjet e kaluara e justifikoi me angazhime të tjera dhe jo me një vendim politik.
Por deklarata e kreut të grupit parlamentar të PD duket se ishte një nxitim momenti dhe e pa konsultuar me kreun e partisë, Sali Berisha. Ky i fundit në konferencën për mediat para dy ditësh, konfirmoi bojkotin duke theksuar refutimin e çdo bashkëpunimi me mazhorancën.
“Çdo formë bashkëpunimi me mandatet e krimit të kësaj maxhorance është e pamundur”, tha Berisha.
Si rrjedhojë, reforma Teritorriale pritet një “deja vu” e asaj të 2014-ës ku socialistët do të vendosin vet se cilët bashki do heqin dhe cilat do të mbajnë. PS ka paralajmëruar se në mungesë të demokratëve, do të ndryshojë përbërjen e komisionit, duke marrë një anëtar më shumë dhe duke hequr bashkëkryetarin e opozitës.
Por bojkoti i PD mund të kthehet sërish në një bumerang tjetër për demokratët si ai i para 12 viteve. Socialistët shfrytëzuan favorin se nuk kishin oponencë në komision dhe hoqën një pjesë të madhe të bashkive që ishin bastione të djathta, për t’ua bashkuar bashkive të mëdha dhe që dominon e majta. Edhe kësaj radhe formula mund të jetë e njëjtë, pasi PS ka kërkuar uljen e numrit të bashkive.
Mazhoranca ka më shumë se 84 vota në parlament, të mjaftueshme për të miratuar reformën deri në korrik, që ajo të aplikohet në zgjedhjet lokale të ardhshme.
Bojkoti i PD-së vjen pas procesit të votimit të Endri Shabanit si Avokat i Popullit dhe pas akuzave nga SPAK ndaj zyrtarëve të qeverisë, duke radikalizuar aksionin opozitar. Partia Demokratike fokusohet te protestat për largimin e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike që do të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme./vna







