Rreth 3,000 pensionistë italianë që jetojnë në Shqipëri janë në ankth për fatin e pensioneve të tyre. Deri tani, të ardhurat e tyre ishin të paprekura nga taksat, por ligji fiskal i ri i vitit 2024 ka hequr përjashtimin që iu siguronte të ardhurat e pensionistëve me leje qëndrimi në vend. Në praktikë, kjo do të mund të thotë që pensionistët italianë mund të detyrohen të paguajnë 15% taksë mbi pensionet e tyre.
Ligji i vjetër i vitit 2019 garantonte përjashtim total nga taksat për qytetarët e Bashkimit Evropian që jetonin të paktën 183 ditë në vit në Shqipëri dhe kishin transferuar aktivitetet e tyre, edhe ato pa fitim, në vend. Ligji i ri, megjithatë, e kufizon përjashtimin vetëm për të ardhurat e mbrojtura nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Parlamenti shqiptar.
Paniku ka përfshirë shumë pensionistë, të cilët kanë nisur të kërkojnë informacion në CAF dhe në Agjencinë e të Ardhurave në Shqipëri. Por informacionet janë të paqarta dhe shpesh kontradiktore. Një pjesë e tyre kanë shkruar madje letra të hapura për kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar qartësi mbi situatën.
Pensioni mesatar që marrin italianët në Shqipëri është rreth 3,500 euro në muaj, por disa marrin më pak dhe janë më të shqetësuar për taksën e mundshme. Nëse Shqipëria vendos të taksojë pensionet, sondazhet informale tregojnë se shumë do të kërkojnë strehim në vende të tjera më “miqësore fiskalisht”, si Sllovakia, Hungaria apo Kroacia.
Largimi i italianëve do të ishte një humbje e madhe për Shqipërinë. Aktualisht, pensionet italiane sjellin mbi 136 milionë euro në vit në ekonomi, para të cilat shpenzohen për qira, blerje banesash, supermarkete, restorante, makina, telefona dhe mallra të ndryshëm. Një taksë e re do të mund të ndikonte në mënyrë të ndjeshme në këtë rrjedhë të parave dhe në jetën e komunitetit italian në vend./La Repubblica



