Një përplasje e fortë politike në Kuvend, ka nxjerrë në pah akuza të rënda për prapaskena dhe bashkëpunime të fshehta gjatë zgjedhjeve të vitit 2021. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu drejtua drejtpërdrejt Jozefina Topallit, duke i kujtuar bashkëpunimin e tyre në atë periudhë, kur ajo krijoi edhe një formacion politik të sajin.
Sipas Ballës, ky bashkëpunim kishte si objektiv goditjen e Partisë Demokratike, e cila në atë kohë drejtohej nga Lulzim Basha.
“Ti Jozefinë mos bëj sikur të dhemb shpirti për Saliun. Në 2021 kemi bashkëpunuar bashkë kundër Saliut. Këtë pjesën ma kurse pak. Unë di shumë gjëra, si i ndanim llogaritë. Ti na dole huq fare, se kujtova se do merrje ndonjë votë në Shkodër…”, u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.
Megjithatë, vetë Topalli u përpoq ta devijojë deklaratën, duke e zhvendosur fokusin tek Sali Berisha, ndërkohë që faktikisht kryetar i PD-së në vitin 2021 ishte Lulzim Basha, dhe bashkëpunimi politik i përmendur ishte i drejtuar kundër tij dhe jo kundër Berishës, i cili aso kohe ishte aleat politik.
Deklarata e Ballës ka rihapur debatin mbi rolin e figurave të vjetra të PD-së, në përçarjen e opozitës. Sipas kritikëve, lufta reale në vitet e fundit nuk ishte kundër Partisë Socialiste, por kundër Lulzim Bashës dhe çdo përpjekjeje për reformim të PD-së.
Në këtë linjë është artikuluar prej vitesh edhe akuza se Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bërë gjithçka që PD të mos vinte në pushtet, një tezë që vetë Berisha e ka përforcuar publikisht në disa dalje, duke e cilësuar si, “fat të madh”, faktin që PD nuk fitoi zgjedhjet.
Ndërkohë, përpjekjet e Jozefina Topallit për t’u mbrojtur përmes retorikës së njohur berishiste dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj Bashës, sipas analistëve, janë rrëzuar nga koha dhe faktet, duke ekspozuar ata që cilësohen si “pazarxhinjt e vërtetë” të politikës: Sali Berishën dhe Jozefina Topallin.
Sipas kësaj narrative politike, pazari i nisur në vitin 2021, i lidhur me emra si Topalli dhe Benet Beci, vijoi më 6 mars 2022, kur PS ndihmoi Berishën në betejën e brendshme të PD-së, dhe u mbyll në vitin 2023 me dorëzimin, për herë të parë të Bashkisë së Shkodrës, në favor të PS-së.
Deklaratat e fundit të Ballës kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një pyetje, e cila prej vitesh qarkullon në opinionin publik: Kush ishte realisht kundërshtari i Berishës dhe Topallit në vitin 2021 – Partia Socialiste apo Lulzim Basha?
Për shumëkënd, deklarata e Ballës thjesht bëri publike atë që dihej gjerësisht, veçanërisht në Shkodër: Se Jozefina Topalli dhe Sali Berisha janë shndërruar në asetin më të vlefshëm politik të Edi Ramës për të mbajtur pushtetin./Alfapress.al







