Ballina Aktualitet Dosja e mbetjeve të rrezikshme/ Doni Sokolaj urdhëroi MSC të mos i...

Dosja e mbetjeve të rrezikshme/ Doni Sokolaj urdhëroi MSC të mos i kthente 102 kontejnerët me mbetje të rrezikshme në Durrës

47
0

Doni Sokolaj, pronari i kompanisë GS Minerals d.o.o, e regjistruar në Kroaci, ndaj të cilit është caktuar masa e “arrestit me burg”, rezulton i përfshirë në skandalin e eksportit të mbetjeve të rrezikshme të kompanisë turke KURUM. Sipas dosjes hetimore, ai i ka kërkuar kompanisë së transportit MSC, në formë urdhëruese e deri kërcënuese, që të mos i kthente 102 kontejnerët me mbetje në Shqipëri, por t’i dërgonte në Turqi te blerësi i ri.

“Në momentin që OLAF dha sinjalizimin se kontenierët përmbanin mbetje të rrezikshme dhe u krijua problematika e dorëzimit të tyre në Tajlandë sipas kontratës, shoqëria Sokolaj u përfshi në komunikime me e-mail të datës 14.08.2024 që ngarkesa të shkarkohej në një port tjetër në Azi, konkretisht në Malajzi, pas komunikimeve me përfaqësuesin e kompanisë MSC, i cili bëri me dije se kontenierët mund të ktheheshin sërish në portin e Durrësit. Në vijim, shtetasi Doni Sokolaj i kërkoi në mënyrë urdhëruese dhe kërcënuese MSC-së që të mos i kthente në asnjë rrethanë kontenierët në Portin e Durrësit, duke kërkuar që ata të qëndronin në Turqi. Për të shmangur inspektimin dhe analizimin e mallit, mbetjet iu shitën blerësit turk dhe shtetasi Doni Sokolaj urdhëroi punonjësin e MSC-së që kontenierët t’i transferonte te blerësi i ri në Turqi. Pavarësisht se shtetasi Doni Sokolaj e ka trajtuar këtë çështje thjesht si tregtare pas gjetjes së një blerësi të ri, dyshohet arsyeshëm se përpjekjet janë bërë për të mos lejuar mbërritjen e kontenierëve për inspektim dhe analizim në Republikën e Shqipërisë, pasi ishin informuar se Prokuroria e Durrësit kishte nisur hetimet mbi mundësinë e eksportimit të mbetjeve të rrezikshme në kundërshtim me ligjin”, thuhet në dosjen hetimore.

Rreth 2800 ton mbetje u blenë nga kompania Sokolaj sh.p.k., në pronësi të Gjovana Sokolaj, e cila më pas ia shiti kompanisë në Kroaci në pronësi të bashkëshortit të saj, Doni Sokolaj.

“Pavarësisht se shoqëria GS Minerals d.o.o është krijuar me seli në Kroaci, ajo është në pronësi dhe administrim të familjes Sokolaj. Kjo rezulton jo vetëm nga pronësia dhe administratori i saj, por edhe nga fakti që shtetasja Gjovana Sokolaj ka nënshkruar kontratën me shoqërinë EMS Albanian Port Operator sh.p.k. në cilësinë e administratores së GS Minerals d.o.o, edhe pse administrator i kësaj të fundit është shtetasi Doni Sokolaj. Veprimet e tyre në tërësi konkludohet se kanë qenë në mënyrë të qartë në dijeni të paligjshmërisë që kanë kryer, duke u përpjekur të fshehin kategorizimin e mbetjeve si mbetje të rrezikshme, me qëllim shitjen e tyre për përfitim monetar”, thekson prokuroria.

Më tej sqarohet se:

“Vepra penale e kontrabandës me mallra të ndaluara është konsumuar plotësisht nga shoqëria Sokolaj sh.p.k. dhe GS Minerals d.o.o, nëpërmjet ortakut Gjon Sokolaj, administratores Gjovana Sokolaj dhe administratorit Doni Sokolaj, në bashkëpunim të plotë me shoqërinë Kurum International sh.a., përmes administratorit të saj Erdal Demir, duke eksportuar mallra të kufizuara për eksport, konkretisht mbetje të rrezikshme që përfshihen në kodin [10 02 07]*. Nga këto subjekte nuk është respektuar asnjë hallkë apo procedurë për marrjen e autorizimit për eksportimin e mbetjeve”.

Prokuroria thekson se KURUM dhe kompania Sokolaj kanë pasur dijeni të plotë për llojin e lëndës së rrezikshme, por kanë falsifikuar dokumentet për të fshehur origjinën e mbetjes. Po ashtu, kompania turke KURUM ka marrë pjesë në veprime aktive për kryerjen e transaksioneve për shitjen e këtyre mbetjeve në katër raste.

“Rezulton se shtetasja Gjovana Sokolaj në agjencinë doganore e deklaroi produktin si ‘oksid hekuri’, ashtu siç ishte përcaktuar në kontratën me shoqërinë ‘Kurum International’ sh.a. Ndërkohë, në faturën e shitjes bërë shoqërisë ‘GS Minerals d.o.o’ me seli në Kroaci, shoqëri në emër të bashkëshortit të saj Doni Sokolaj, ajo shtoi në kllapa kodin ZN, pra ‘Okside hekuri (ZN)’, të njëjtin deklarim që bëri edhe në doganë”, theksohet në dokument.

Ndërkohë, akt-ekspertimi i kryer nga një laborator në Itali konfirmoi se kontejnerët mbartnin mbi 2800 ton mbetje të rrezikshme me origjinë nga furnaltat e kompanisë Kurum International. Mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike me qark (EAFD), të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar, me përmbajtje shumë të lartë zinku dhe hekuri, të shoqëruara me plumb, bakër, mangan, kalium, kalcium dhe squfur.

Skandali doli në dritë në korrik 2024, pas alarmit të organizatës mjedisore Basel Action Network, e cila akuzoi Shqipërinë për shkelje të konventave ndërkombëtare për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Mbetjet u kthyen në Shqipëri dhe u vendosën në ruajtje në Porto Romano.

Prokuroria e Durrësit firmosi dje 33 urdhra sigurie:

• 26 arrest me burg,

• 7 arrest shtëpie.

Deri më tani janë ekzekutuar 20 masa. Në mesin e të dyshuarve janë drejtues të kompanive KURUM dhe Sokolaj, si dhe zyrtarë të lartë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit./vna