Ballina Ekonomia Importet e veshjeve dhe këpucëve bien 9%: konsum më i ulët në...

Importet e veshjeve dhe këpucëve bien 9%: konsum më i ulët në tregun vendas

27
0

Importet e tekstileve dhe këpucëve kanë pësuar një rënie të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë në sjelljen e konsumatorëve shqiptarë, i ndikuar nga rritja e kostove të jetesës dhe zhvillimet demografike të vendit.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2025 importet e veshjeve dhe këpucëve arritën në 86.4 mijë tonë, me një rënie prej 9% krahasuar me vitin 2024. Ky zhvillim pasqyron tkurrjen e kërkesës në tregun vendas, e cila sipas aktorëve të tregut lidhet drejtpërdrejt me uljen e numrit të popullsisë dhe dobësimin e fuqisë blerëse.

Në vitin 2025, popullsia zyrtare e Shqipërisë zbriti në 2,363,314 banorë, me një rënie vjetore prej rreth 27,600 personash, ose -1.2%, norma më e lartë në rajon. Krahasuar me Censin e vitit 2011, vendi ka humbur mbi 17% të popullsisë. Tkurrja më e fortë vihet re te grup-moshat deri në 30 vjeç, kryesisht për shkak të emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.

Tregtarët theksojnë se kërkesa për veshje dhe këpucë ka rënë pasi grupet më aktive dhe më konsumatore për modën po largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, tregu vendas mbetet gjithnjë e më shumë me një popullsi në plakje, e cila ka prioritete të ndryshme shpenzimi dhe një nevojë më të kufizuar për blerje të shpeshta veshjesh.

Përtej faktorëve demografikë, një goditje e fortë për konsumin vjen edhe nga rritja e kostove të jetesës. Çmimet më të larta të ushqimeve, qirave dhe banesave kanë detyruar familjet shqiptare të rishikojnë buxhetet e tyre. Në kushtet e një inflacioni që ka gërryer fuqinë blerëse, veshjet dhe këpucët janë zhvendosur nga kategoria e nevojave të menjëhershme drejt shpenzimeve që mund të shtyhen.

Konsumatorët po tregohen më të kujdesshëm, duke u mjaftuar me atë që kanë, duke blerë më rrallë ose duke u orientuar drejt tregut të rrobave të përdorura. Buxhetet familjare përqendrohen gjithnjë e më shumë te shpenzimet bazë si ushqimi, energjia dhe shërbimet.

Sipas tregtarëve, rënia e shitjeve do të ishte edhe më e thellë nëse nuk do të ishte ndikimi i turizmit. Shitësit me pakicë, veçanërisht në qendrat tregtare, pohojnë se 10–15% e xhiros ditore realizohet nga turistët, të cilët zakonisht blejnë produkte të lira për përdorim gjatë qëndrimit në Shqipëri.