Ballina Aktualitet Mbarimi i mandatit të Denar Bibës, Kuvendi hap garën për kreun e...

Mbarimi i mandatit të Denar Bibës, Kuvendi hap garën për kreun e Konkurrencës

35
0

Kuvendi i Shqipërisë ka hapur zyrtarisht procedurën për plotësimin e një vendi vakant në Komisionin e Konkurrencës, pozicion që përfshin njëkohësisht edhe funksionin e Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës. Ky hap vjen në prag të përfundimit në muajin mars të mandatit të drejtuesit aktual të institucionit, Denar Biba.

Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët që synojnë këtë post duhet të plotësojnë disa kritere themelore ligjore. Ata duhet të jenë shtetas shqiptarë, të kenë jo më pak se 15 vite përvojë profesionale dhe, për të paktën pesë vite, të jenë pjesë e trupës akademike universitare ose të mbajnë titull apo gradë shkencore në fushën e ekonomisë apo të drejtësisë, me fokus në të drejtën civile ose administrative. Një tjetër kusht i domosdoshëm është që kandidatët të mos jenë larguar më parë nga puna apo shërbimi civil për shkaqe disiplinore.

Legjislacioni në fuqi përcakton se anëtarët e Komisionit të Konkurrencës zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, mbi bazën e propozimeve institucionale. Konkretisht, një kandidat propozohet nga Presidenti i Republikës, dy nga Këshilli i Ministrave dhe dy të tjerë nga vetë Kuvendi.

Drejtuesi aktual i Autoritetit, Denar Biba gëzon të drejtën për t’u rizgjedhur.