Ballina Aktualitet Shoqata e Prokurorëve: Debati publik për pagat e magjistratëve të zhvillohet pa...

Shoqata e Prokurorëve: Debati publik për pagat e magjistratëve të zhvillohet pa presion dhe retorikë

23
0

Shoqata e Prokurorëve reagon lidhur me debatin publik mes kryeministrit të vendit, Edi Rama dhe gjyqtarëve për çështjen e pagave.

“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.

Më tej, Shoqata e Prokurorëve thotë se i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese.

“Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese”, thuhet më tej.

Shoqata thotë se gjykimi kushtetues i iniciuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.