Ballina Aktualitet Skandali me tunelin e Llogarasë/ TVSH e kredituar, në shkelje të ligjit....

Skandali me tunelin e Llogarasë/ TVSH e kredituar, në shkelje të ligjit. SPAK duhet të hetojë tatimorët!

16
0

Dosja hetimore për skandalin e tunelit të Llogarasë nxori në pah abuzime skandaloze me ligjin nga ana e zv/kryeministres Belinda Balluku, ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, dhe vartësve të tyre.
Përveç rritjes fiktive të faturave, të cilat kanë rënduar mbi buxhetin e shtetit, dhe favorizimit të kompanisë turke, ngrihen dyshime serioze edhe mbi kreditimin e TVSH-së për punimet e kësaj vepre publike.

Hetimi i hollësishëm i SPAK-ut, i cili zbardhi aferën e tunelit të Llogarasë, zbuloi shkelje të shumëllojshme që bëjnë përgjegjës, përveç Belinda Ballukut, edhe inspektorë të tatimeve të tipit Olsi Kuca.

Inspektorët tatimorë mbajnë përgjegjësi pasi kanë lejuar firmën e ndërtimit të punojë plot tre vite pa dokumentacion të rregullt, duke i njohur TVSH-në kreditore për mallrat e përdorura në ndërtimin e tunelit. Ata kanë kredituar TVSH-në duke e zgjatur dhe zvarritur dosjen, çështje kjo që SPAK duhet ta hetojë gjithashtu.

Ligjet në fuqi e ndalojnë kreditimin e TVSH-së për bizneset që operojnë pa dokumentacion të vlefshëm ligjor, ndaj SPAK-u, si prokurori e posaçme antikorrupsion, duhet të hetojë edhe rolin e Tatimorëve.

Ligji për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” përcakton se “tatimpaguesit që kryejnë veprimtari ndërtimi kanë të drejtë të kreditojnë TVSH-në e paguar për blerjet e mallrave vetëm pasi të kenë marrë lejen e ndërtimit dhe të kenë regjistruar objektin si projekt ndërtimi pranë organit tatimor”.

Konkretisht, leja për ndërtimin e tunelit të Llogarasë është bërë e vlefshme në maj të vitit 2025, në një kohë kur tuneli kishte përfunduar dhe ishte në prag të përurimit.

Në raste të tjera, inspektorë tatimesh si Olsi Kuca janë përdorur si masha politike për të goditur biznese të rregullta, ndërsa në rastin e tunelit të Llogarasë sytë kanë qenë të mbyllur dhe veshët të shurdhër.

Kostot marramendëse të tunelit të Llogarasë u rritën gjatë rrugës me të paktën 50 milionë euro. Me gjasë, këto para janë marrë nga buxheti i shtetit për të paguar rryshfete, të cilat janë ende objekt hetimi nga SPAK-u.

Konkretisht, shtesa e paparashikuar prej 50 milionë eurosh nga buxheti i shtetit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u miratua në vitin 2022. Edhe TVSH-ja e kësaj shume është kredituar, çka përbën një tjetër dëm prej rreth 10 milionë eurosh, të cilat duhet patjetër të jenë objekt hetimi nga SPAK-u.

Kjo verbëri profesionale dëshmon për standardin e dyfishtë në trajtimin që Tatimorët u bëjnë bizneseve të ndryshme në vend.

Abuzimi me besimin dhe paratë e shqiptarëve është një çështje serioze që meriton vëmendje, transparencë dhe, mbi të gjitha, përgjegjësi penale për çdo shkelës të ligjit.