Përshkallëzohet situata në fshatin Baks-Rrjoll të Velipojës, ku për të tretën ditë me radhë banorët po protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë. Gjatë përplasjes me forcat e policisë, një nga protestuesit ka rënë në tokë në gjendje të rënduar shëndetësore, duke u dukur pa ndjenja.
Ngjarja ka ndodhur mes tensioneve dhe shtyrjeve mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa në momentin kur qytetari është rrëzuar, pranë tij ndodheshin vetëm gazetarë dhe banorë të tjerë. Sipas pamjeve në terren, asnjë punonjës policie nuk është afruar menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë protestuesin të shtrirë në tokë, ndërsa të pranishmit përpiqen ta ndihmojnë dhe kërkojnë ndërhyrje mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore por duket nga pamjet se ai nuk është transportuar ende drejt spitalit.
Banorët e Baks-Rrjollit kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës, përfshirë bllokimin e rrugëve dhe një tubim para dyerve të SPAK. Ata kundërshtojnë projektin që, sipas tyre, rrezikon rreth 80 banesa dhe pretendojnë se pronat po u merren në mënyrë të padrejtë për t’i hapur rrugë ndërtimit.
Në një prononcim për SYRI TV, një nga protestuesit deklaroi se kundërshtimet do të jenë “të pandalshme” derisa çështja e pronësisë të zgjidhet. Ai drejtoi akuza ndaj qeverisë, duke përmendur kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku si përgjegjës për firmosjen e projektit, si dhe akuzoi biznesmenin Bashkim Ulaj dhe një ish-zyrtar të quajtur Fatmir Shpellza.
Protestuesit i kanë bërë thirrje edhe kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, që të ndërhyjë për zgjidhjen e situatës, duke theksuar se disponojnë dokumente ligjore dhe vendime gjyqësore për pronat e tyre.







