Ballina Politika “Tjetër skandal për këtë qeveri”/ PD, denoncon: Arrestimi i Arta Dollanit, tregon...

“Tjetër skandal për këtë qeveri”/ PD, denoncon: Arrestimi i Arta Dollanit, tregon se prej 13 vitesh partia-shtet ka…

34
0

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, reagoi përmes një deklarate për mediat lidhur me arrestimin e Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP), Arta Dollani, duke e cilësuar atë si “një tjetër skandal për këtë qeveri”.

Sipas Sulës, arrestimi i kreut të arsimit parauniversitar përbën “një ngjarje të zezë për mësuesit, nxënësit dhe shoqërinë” dhe, sipas saj, është dëshmi e degradimit të sistemit arsimor në vend. Ajo deklaroi se rasti në fjalë tregon, sipas PD-së, fenomenin e “partisë-shtet”, që sipas saj ka ndikuar në dobësimin e institucioneve gjatë viteve të fundit.

Në deklaratën e saj, Sula iu referua edhe karrierës së mëparshme të Dollanit, duke përmendur periudhën kur ajo drejtoi Institutin e Monumenteve të Kulturës. Sipas përfaqësueses së PD-së, gjatë asaj kohe janë ndërmarrë vendime të debatueshme në fushën e trashëgimisë kulturore. Ajo pretendoi gjithashtu se, ndonëse ka qenë nën hetim për çështje që lidhen me detyrën, Dollani u emërua më pas në krye të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.

Sula ngriti shqetësime edhe për mënyrën e drejtimit të institucionit, duke pretenduar se drejtuesja paraqitej në punë për kohë të kufizuar, ndërkohë që, sipas saj, ndaj stafit zbatohej një regjim i rreptë kontrolli dhe prezence.

Në fund të deklaratës, përfaqësuesja e Partisë Demokratike e cilësoi Dollanin si simbol të “degradimit qeverisës” dhe theksoi se arrestimi i saj, i lidhur sipas saj me çështje të kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme, është një zhvillim shqetësues për sistemin arsimor.

Sula bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën kombëtare të paralajmëruar për datën 10 shkurt, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen asaj “pa dallim partiak apo ideologjik”.

Deklarata e plotë:

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Arta Dollani, është arrestuar, një tjetër skandal për këtë qeveri, e cila ka kaluar në statusin ‘e arrestuar’. Akuzat dhe arrestimi i kreut të arsimit parauniversiatr është ngjarje e zezë për mësuesit, nxënësit dhe shoqërinë, dhe dëshmi e rrënimit të plotë të sistemit tonë arsimor.

Fenomeni ‘Arta Dollani’ na flet për partinë-shtet, që prej 13 vitesh ka degraduar institucionet në çdo nivel- fenomen që mishëron ngritjen në karrierë nga hiçi në majë dhe fundin e paracaktuar sërish në hiç.

Nga punonjëse e thjeshtë e bashkisë, Dollani u katapultua në pozicionet më të rëndësishme të Ministrisë së Kulturës si Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Me firmën e saj u shembën godina me vlera historike e kulturore për t’u zëvendësuar me kulla betoni; u shemb Teatri Kombëtar, u përçudnuan hapësirat e Butrintit në biznese, u hoqën vepra të çmuara nga lista e trashëgimisë kulturore e të tjera bëma.

Për dëme të rënda ndaj kulturës dhe duke qenë nën hetim për shpërdorim detyre, Dollani nuk u ndëshkua, por u shpërblye nga Ministria e Arsimit, Mirela Kumbaro me këtë pozicion shumë të rëndësishëm në krye të arsimit, për të firmosur aktet e fundit të groposjes së sistemit edukativ.

Papërgjegjshmëria e Dollanit në krye të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar u shfaq qartazi edhe në mënyrën se si ajo e trajtoi institucionin që drejtonte. Që prej emërimit në detyrë, sipas të dhënave dhe dëshmive të punonjësve, ajo paraqitej në punë vetëm për një kohë simbolike, rreth një orë në ditë, ose në shumë raste mungonte plotësisht. Ndërkohë, për stafin vartës zbatohej një regjim presioni dhe kontrolli absurd, me apel dhe listëprezencë deri në tre herë në ditë.

Ky standard i dyfishtë, ku drejtuesja shkelte hapur rregullat që ua impononte punonjësve të tjerë, është tregues i arrogancës së pushtetit, i shpërfilljes së etikës administrative dhe i shkatërrimit të çdo parimi të barazisë dhe përgjegjshmërisë institucionale. Një sjellje e tillë jo vetëm minon funksionimin e institucionit, por jep edhe mesazhin më të keq të mundshëm në sistemin arsimor: se ligji dhe rregulli vlejnë vetëm për të vegjlit, jo për ata që mbrohen nga pushteti.

Dollani është simbol i degradimit qeverisës, një person i pakualifikuar dhe pa lidhje me arsimin por me lidhje të forta me pushtetin dhe vegël e tij për të nënshkruar çdo akt marrëzie qeveritare. Ajo u arrestua për kontrabandën e mbetjeve të rrezikshme dhe kjo është dëshmi tronditëse e nivelit të drejtimit të arsimit, modeli që asnjë mësues, prind e qytetar s’do donte t’ia përcillte fëmijëve.

Fëmijët tanë kanë nevojë për dije dhe arsim cilësor, për modele përkushtimi dhe integriteti, për shkolla që e shohin arsimin si themel i së ardhmes.

Shoqëria shqiptare nuk mund të vijojë më me korrupsionin, me institucione të shkatërruara dhe degradim të plotë, me drejtoresha që përfundojnë si viktima të pushtetit, me ministra në burg e zv/kryeministre që ka shpërdoruar miliarda lekë prej xhepave të shqiptarëve.

Iu ftoj t’i bashkoheni protestës kombëtare të 10 shkurtit, pa dallim partiake apo ideologjike; nuk mund të ketë dallime mes atyre që vidhen, helmohen dhe poshtërohen njësoj, nuk ka rëndësi në janë demokratë apo socialistë.