Sanksionet e vendosura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë detyruar kompaninë ruse Gazprom të tërhiqet nga Serbia, duke e vënë në pikëpyetje pozicionin e fuqisë së pretenduar të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe duke ekspozuar dobësinë e pushtetit të tij, shkruan gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).
Në analizën e saj me titull “Presioni i Trump-it e zbërtheu iluzionin e pushtetit në Serbi”, FAZ vlerëson se ndonëse Trump shpesh perceptohet si politikan i paparashikueshëm që demonstron forcë, në këtë rast ai ka vepruar seriozisht. Sipas gazetës, pasojat e kësaj qasjeje i ndjejnë më së shumti vendet dhe udhëheqësit e dobët, përfshirë Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç, i cili, siç shkruan FAZ, është mbështetur më shumë në retorikë sesa në fuqi reale.
Gazeta shkruan se, përballë mungesës së energjisë, karburanteve dhe rritjes së pakënaqësisë qytetare, Vuçiç është detyruar të tërhiqet përballë kërcënimeve gjithnjë e më konkrete nga Uashingtoni. Largimi i Gazpromit nga Naftna Industrija Srbije, NIS, që FAZ e cilëson më tepër si “përjashtim sesa largim vullnetar”, sipas gazetës redukton ndjeshëm ndikimin rus në hapësirën e Bashkimit Evropian.
Kjo lëvizje nuk pritet të pritet mirë nga qarqet strategjike në Kremlin, ndonëse çmimi i shitjes, rreth një miliard euro, ishte dyfish më i lartë se shuma me të cilën Rusia kishte blerë NIS-in, shkruan FAZ. Gazeta vlerëson se me këtë zhvillim po ndryshon në mënyrë thelbësore rendi energjetik në Ballkanin Perëndimor.
Në vlerësimin e saj kritik, FAZ shkruan se një vendim i vetëm në Uashington e ka detyruar Vuçiçin, i cili e konsideronte veten të barabartë me presidentët e Rusisë dhe Kinës, të përballet me realitetin se ai udhëheq një vend të vogël, me rritje të ngadalësuar ekonomike, sistem juridik të korruptuar dhe me një shoqëri të pakënaqur, deri në atë pikë sa ai u detyrua të premtojë zgjedhje të parakohshme.
FAZ përfundon se Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe se Brukseli duhet ta ruajë perspektivën evropiane të saj. Megjithatë, sipas gazetës, kjo perspektivë mbetet e vështirë për t’u realizuar me Vuçiçin në pushtet, pasi besimi ndaj tij është zbehur jo vetëm te qytetarët e Serbisë, por edhe brenda vetë Bashkimit Evropian.







