Nga Dashnor Kaloçi
Mbetjet e rrezikshme me origjinë nga furrnaltat e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit – për të cilat Prokuroria e Rrethit Durrës kërkoi mbrëmjen e djeshme (3 shkurt 2026) 33 masa sigurie, duke e konsideruar këtë si krimin më të rëndë mjedisor të dekadave të fundit në Shqipëri – nuk janë një “muzikë” e panjohur për shqiptarët. Ky “mallkim” është i njohur kryesisht për banorët e qyteteve ku regjimi komunist ndërtoi dhe vuri në punë industrinë e rëndë kimiko-metalurgjike. Kombinati “Çeliku i Partisë” në Elbasan, ai Kimiko-Metalurgjik në Laç, Uzina e Ferro-Kromit në Burrel apo ato të Bakrit në Rubik e Kukës, që nga vitet ’60–’70, veç metaleve, kanë “prodhuar” edhe dhjetëra viktima.
Duke parë zhvillimet e dy viteve të fundit, ky trashëgimi industriale duket se do të mbetet një plagë e hapur për ne shqiptarët edhe për shumë kohë. Pothuajse në të gjitha këto uzina, të ndërtuara me “ndihmën vëllazërore kineze”, krahas ndotjes permanente, avaritë teknologjike kanë kushtuar jetë njerëzish. Një nga ngjarjet më tragjike është ajo e 9 qershorit 1979 në Metalurgjikun e Elbasanit, i cili asokohe drejtohej nga Hajredin Çeliku (më vonë anëtar i Byrosë Politike dhe ministër). Në atë “aksident teknologjik”, brenda pak minutash humbën jetën 6 persona dhe u toksikuan shumë të tjerë.
Po si ndodhi kjo ngjarje në këtë vepër që Enver Hoxha e quante “çlirimi i dytë i Shqipërisë”? Kush ishin viktimat e kësaj krenarie të rreme industrial të Shqipërisë komuniste? Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, na njohin dokumentet sekrete të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat publikohen për herë të parë (bashkë me faksimilet përkatëse) nga Memorie.al
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 11 QERSHOR 1979, PËR NGJARJEN E RËNDË NË KOMBINATIN METALURGJIK TË ELBASANIT, KU HUMBËN JETËN NGA HELMIMI 6 PUNËTORË E INXHINIERË DHE U TOKSIKUAN SHUMË TË TJERË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 11.6.1979
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 136
Më 9.6.1979, rreth orës 9.30 – 11.00, Në Uzinën Nr. 12 të Kombinatit Metalurgjik “Çeliku i Partisë”, brigadier Shkëlqim Ali Gripshi, vjeç 34, lindur e banues në Elbasan, u tha punëtorëve të brigadës së turnit të tij, se do të shkonte të punonte tek rezervuari për pastrimin e tij, prandaj ata duhet ta prisnin atje.
Në fakt, ai ka shkuar më përpara për të kontrolluar gjendjen e rezervuarit Nr. 1 të qarkullimit në repartin e gazit, pasi aty do të punonte brigada për të bërë pastrimin e mbeturinave të squfurit. Brigada shkoi në vend dhe meqenëse brigadieri nuk erdhi, sipas fjalës së tij, ata u larguan.
Më 10.6.1979, rreth orës 9.00, kur shkoi turni tjetër tek rezervuari për të filluar punën, në fund të rezervuarit panë Shkëlqimin dhe tentuan për ta nxjerrë, por sa zbrisnin në të helmoheshin. Në tentativë për të nxjerrë njeri tjetrin, u helmuan 10 punëtorë të tjerë.
Më në fund ata u nxorën dhe veç Shkëlqimit, vdiqën edhe Edmond Xhevdet Hodo, vjeç 22, Ferdinand Kurt Manaj, vjeç 24, Hiqmet Gani Kanaçi, vjeç 20, Bukurosh Mehmet Muça, vjeç 24 dhe Musa Riza Paja, vjeç 45.
Gjithashtu ndodhen në Spital, Vladimir Hajdar Skilja, vjeç 24, teknolog, Petrit Liman Qosja, vjeç 29, shofer, Mark Rrushit Simoni, vjeç 30, kimist, Vilson Shefqet Agolli, vjeç 25, metalurg, dhe Roland Ali Spaho, vjeç 23, punëtor.
Grupi Operativ konstatoi se rezervuari ka rreth një muaj që ka dalë jashtë pune, pasi ka qenë i bllokuar, prandaj ka pasur nevojë për riparim.
Nga ana e asaj brigade, janë shkelur rregullat e sigurimit teknik, pasi kanë neglizhuar dhe nuk kanë bërë matjet e nevojshme mbi gjendjen e ngopshmërisë së rezervuarit me gaz, duke menduar se në të nuk ka gjë, meqenëse rezervuari ka një muaj që nuk ndodhet në punë. Helmimi është bërë nga gazi karbonik H2 S.
U ndaluan Bujar Shefqet Gripshi, vjeç 30, lindur dhe banues në Peqin, përgjegjës i repartit të gazit të Uzinës Nr. 12 dhe Xhevahir Vahip Komani, vjeç 26, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, shef i sigurisë teknike të kësaj uzine, të cilët duke qenë në detyrat përkatëse, nuk kanë marrë masa për sigurimin e mbrojtjen e punëtorëve në punë, e për rrjedhim shkaktuan vdekjen e 6 punëtorëve të sipërm./ Memorie.al
KRYETARI
PILO SHANTO







