Alex Saab, aleati i ngushtë i ish-presidentit Nicolás Maduro, është arrestuar sërish gjatë një operacioni të përbashkët mes autoriteteve amerikane dhe Venezuelës.
Zyrtarët amerikanë konfirmojnë se 54-vjeçari pritet të ekstradohet drejt SHBA-së në ditët në vijim.
Në të njëjtin operacion u arrestua edhe Raúl Gorrin, pronari i rrjetit televiziv “Globovision”, i përfshirë gjithashtu në hetime për korrupsion dhe pastrim parash.
Avokati i Saab, Luigi Giuliano, e ka cilësuar raportimin si “lajm i rremë”, ndërsa gazetarë pranë qeverisë venezuelane e mohuan ngjarjen. Kryeparlamentari Jorge Rodríguez tha se nuk kishte informacion zyrtar mbi ndalimin.
Ky zhvillim shënon një bashkëpunim të ri mes SHBA-ve dhe qeverisë së përkohshme të Venezuelës, e udhëhequr nga Delcy Rodríguez, e cila kontrollon agjencitë e zbatimit të ligjit dhe ka bashkëpunuar me autoritetet amerikane për realizimin e operacionit.
Alex Saab ka një histori të gjatë me drejtësinë amerikane. Ai u arrestua në vitin 2020 në Kepin e Gjelbër, ku qëndroi tre vite nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, duke përfituar sipas hetimeve rreth 350 milionë dollarë nga skemat e kursit të këmbimit valutor. Ai u lirua në fund të vitit 2023 në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish, u prit nga Maduro si hero kombëtar dhe emërua ministër i Industrisë deri muajin e kaluar.







