Manchester City është finalisti i dytë i Carabao Cup. Skuadra e Pep Guardiolës nuk i la asnjë shans Newcastle-it, duke e mposhtur edhe në ndeshjen e kthimit 3-1 në “Etihad” dhe duke kaluar me rezultatin e përgjithshëm 5-1.
Që në minutën e 6-të, Omar Marmoush hapi serinë e golave, duke i dhënë menjëherë drejtim takimit. City dominoi plotësisht pjesën e parë, ku Marmoush shënoi sërish, pasi topi nuk u largua mirë nga mbrojtësit e “qymyrxhinjve”, ndërsa Tijjani Reijnders realizoi golin e tretë para pushimit, duke mbyllur praktikisht llogaritë e kualifikimit, pas një super pjee të parë të ekipit të drejtuar nga Pep Guardiola.
Newcastle pati disa tentativa, por portieri James Trafford u tregua vendimtar, ndërsa çdo gabim u ndëshkua nga vendasit. Në pjesën e dytë, Anthony Elanga ngushtoi shifrat me një goditje të bukur, por ishte vetëm për statistikë.
Manchester City menaxhoi qetësisht ndeshjen dhe siguroi finalen e 10-të në këtë kompeticion, ku më 22 mars në “Wembley” do të përballet me Arsenalin, që eleminoi në gjysmëfinale nga ana e saj Chelsean në derbin londinez. I lumtur në përfundim të ndeshjes u shfaq teknku spanjoll Pep Guardiola: Të luash 5 finale në 10 vitet e fundit në Carabao Cup nuk është pak. Dëshiroj të komplimentoj djemtë, për arritjen e këtij objektivi. Finalja ndaj Arsenal? Do të jetë një sfidë e bukur por njëkohësisht tepër e vështirë. Ata janë një prej skuadrave më të forta në Evropë tani.







