Nga Eda Zari
Mijëra familje, ende sot, ndodhen në një rreth vicioz pashprese, duke u rropatur për të hapur dosjet e së shkuarës, por ajo që gjejnë është thjesht një fasadë transparence. Fletët e mbuluara me bojë të zezë nuk janë “mbrojtje e të dhënave personale”; ato janë anonimizimi i qëllimshëm i xhelatit.
Kjo censurë administrative bën që persekutorët të vazhdojnë të jetojnë mes nesh — të padukshëm, të paprekshëm — ndërsa viktimat mbeten peng i një të vërtete të cunguar. (Kushdo që e interpreton këtë si teori konspirative, uroj të mos përjetojë kurrë atë që një pjesë e shoqërisë sonë e ka përjetuar gjatë jetës.)
Përtej krimit të fshehjes, ne po dëshmojmë një fenomen makabër: retravmatizimin përmes burokracisë. Procesi i dëmshpërblimit financiar — një detyrim moral dhe ligjor i shtetit — është shndërruar në instrument torture psikologjike. Të moshuarit, motrat, vëllezërit dhe pasardhësit e viktimave detyrohen të luajnë një lojë cinike kukafshehti nëpër korridoret e institucioneve.
Kërkesa absurde për vërtetime, certifikata e dokumente arkivore — shpesh për njerëz që regjimi i zhduku pa gjurmë — është shembulli tipik i asaj që sociologjia politike e quan dhunë strukturore.
Shteti po aplikon strategjinë e zvarritjes: pret që biologjia të bëjë të vetën, që brezi i mbijetuar të shuhet, në mënyrë që “dosja” të mbyllet vetvetiu. Që nga viti 2013 e në vazhdim, procesi i dëmshpërblimit është trajtuar si lëmoshë buxhetore dhe jo si prioritet i drejtësisë.
Është absurde — madje perverse — që qeveria gjen fonde për projekte fasadë, por shpall pamundësi për të mbyllur plagët financiare dhe morale të krimeve të komunizmit. Kjo burokraci nuk është neglizhencë; është bashkëfajësi pasive.







