Shqiptarët e mbyllën vitin 2025 me kursime në nivele historike, duke mbajtur në banka rreth 1.48 trilionë lekë. Të dhënat tregojnë se gjatë gjithë vitit depozitat në sistemin bankar kanë ndjekur një trajektore kryesisht në rritje, një sinjal i qartë i besimit të vazhdueshëm të individëve dhe bizneseve ndaj bankave si instrument sigurie dhe administrimi financiar. Vetëm në dhjetor, depozitat u rritën me rreth 2.1% krahasuar me muajin paraardhës.
Ecuria mujore tregon se ritmet më të forta të rritjes janë përqendruar veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit.
Depozitat në lekë kanë qenë motori kryesor i rritjes. Në fund të dhjetorit, kursimet në monedhën vendase arritën rreth 710 miliardë lekë. Ndërkohë, depozitat në valutë të huaj kanë pasur luhatje më të moderuara, por kanë qëndruar në nivele të larta, duke kapur në fund të vitit vlerën e rreth 773 miliardë lekëve. Kjo tregon se, pavarësisht forcimit të rolit të lekut, valuta e huaj mbetet një komponent i rëndësishëm në strukturën e kursimeve.
Në tërësi, kombinimi i rritjes së fortë të depozitave në lekë dhe stabilitetit të atyre në valutë sugjeron një ekuilibër të ri në sjelljen financiare të familjeve dhe bizneseve. Monedha vendase po konsolidon gradualisht pozicionin e saj, duke u vendosur krah për krah valutës së huaj në menaxhimin e kursimeve.







