Ballina Kronika Dëshmia e Henrik Hoxhajt në GJKKO: Rrëfen konfliktin me Ismet Boriçin dhe...

Dëshmia e Henrik Hoxhajt në GJKKO: Rrëfen konfliktin me Ismet Boriçin dhe atentatin e dështuar

28
0

Henrik Hoxhaj vijon dëshminë në GJKKO në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”. Ai shpjegoi konfliktin me Ismet Boriçin.

“Konflikti ka ndodhur në vitin 1999–2000. Një shok i imi i fëmijërisë ka pasur probleme me vëllezërit Boriçi. Në vitin 2004, teksa po ikja për në shtëpi, jam plagosur me 3 plumba. Ismet Boriçi ka plagosur vëllain e Viron Kallanxhiut, shokut tim të fëmijërisë, i cili tani është në burg.

Boriçët janë fis i madh. U krijua një situatë kot, pa lidhje, ‘pse më sheh’. Ai nxori armën, unë ia kapa te tyta. Ai më qëlloi. Unë ika me vrap dhe aty më mori dikush”, tha Henrik Hoxhaj.

Ai vijoi më tej: “Doja ta mbaroja punën, ta vrisja. Ai më gjuajti mua.

Në vitin 2018 kisha marrë një makinë Renault të vjedhur dhe një pistoletë Glock. I kam treguar muhabetet edhe Skerdit, ai ishte në dijeni pak a shumë të gjithçkaje. Ra dakord dhe bëmë gjërat gati, duke e pritur. 3–4 herë gjatë ditës bënim xhiro rreth pronës së tij për ta vëzhguar. I kemi parë vëllezërit me mjetin tonë. Skerdi qëlloi nga brenda, por iu bllokua arma. Ata na pikasën, pasi makina jonë ishte me xhama të zinj. Plumbat, kur prekin xhamin, ngecin dhe si përfundim ata vetëm u gërvishtën lehtë. Qëllimi im ishte të merrja hak për plagosjen që më bënë”, tha ai më tej.

I penduari sqaroi se: “Unë kam qëlluar nga timoni me pistoletë, ndërsa Skerdi me automatik nga vendi i pasagjerit. Armët i kishim në makinë. Ne i mbanim gjithmonë me vete te mjeti i goditjes, Renault-in, që kur t’i shikonim, të godisnim direkt, jo ‘e pashë dhe mos ta godas’.

Kishim gjetur një palë targa greke, të cilat i kishte gjetur Skerdi. Makinën e pashë në gazetë. Qëllimi i marrjes së targave ishte që mjeti të mos lëvizte pa targa.”

Prokurori Behar Dibra pyeti për vendndodhjen ku u krye sulmi.

“Ky ka një lokal te Gjimnazi i Ri dhe një shtëpi trekatëshe. Ishin ulur vetëm në tavolinë. Brenda nuk e di kush ishte, ndoshta kishte njerëz. Ata e nuhatën, pasi mjeti jonë ishte me xhama të zinj dhe me targa të huaja. Tani ata kanë probleme edhe me mua. Nëse më del para një makinë, do largohem.

Skerdi qëlloi me 2 plumba dhe më pas iu bllokua arma. Ata u futën në lokal dhe më pas ikën në shtëpi. Ne nuk dolëm nga makina. Armët i kemi pasur në shtëpi, kanë mbetur aty.”