Një skandal spiunazhi ka tronditur Forcat e Armatosura Greke, duke ngritur alarmin për sigurinë kombëtare dhe atë të NATO-s. Një oficer i lartë i Forcave Ajrore Greke, rreth 50 vjeç, u arrestua mëngjesin e sotëm brenda njësisë ku shërbente, i dyshuar për mbledhje dhe transmetim të informacioneve sekrete ushtarake tek një vend i tretë, konkretisht Kina.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, oficeri kishte akses në plane të klasifikuara të NATO-s, të cilat konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare dhe aleancën euroatlantike. Burime pranë Shtabit të Përgjithshëm bëjnë me dije se ai po vepronte në emër të një shteti të huaj dhe u arrestua pak para se të dorëzonte një sasi të konsiderueshme të dhënash të ndjeshme.
Oficeri shërbente në Grupin e 128-të të Trajnimit të Telekomunikacionit dhe Elektronikës të Forcave Ajrore, në zonën e Kavouri, një pozicion kyç që i garantonte akses të drejtpërdrejtë në informacione konfidenciale. Ai akuzohet për veprën e rëndë penale të “mbledhjes dhe transmetimit të informacioneve sekrete me rëndësi ushtarake tek palët e treta”, një shkelje e rëndë e Kodit Penal Ushtarak.
Hetimet tregojnë se oficeri ishte vënë nën mbikëqyrje të rreptë nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Greke (NIS), në bashkëpunim me personel ushtarak të specializuar në kundërzbulim, për të paktën një muaj. Gjatë kësaj periudhe janë mbledhur prova të konsideruara shumë të forta, që çuan në ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.
Sipas mediave greke, i arrestuari dyshohet se përdorte aplikacionin e koduar Signal për të komunikuar, duke fshirë sistematikisht mesazhet për të mos lënë gjurmë dhe për ta bërë më të vështirë zbulimin e aktivitetit të tij të paligjshëm.
Arrestimi u krye pas një operacioni të planifikuar në detaje, me pjesëmarrjen e një prokurori, agjentëve të NIS dhe oficerëve të specializuar të kundërzbulimit. Aktualisht, oficeri ndodhet në paraburgim dhe është marrë në pyetje nga autoritetet, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë ose rrjete të gjera spiunazhi.
Në një njoftim zyrtar, Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare Greke konfirmoi arrestimin, duke theksuar se veprimet e dyshuara përbëjnë rrezik serioz për interesat kombëtare dhe sigurinë ushtarake të vendit.







