Ballina Rajoni Përplasje fatale pranë ishullit të Kiosit, 23 persona të shtruar në spital,...

Përplasje fatale pranë ishullit të Kiosit, 23 persona të shtruar në spital, në pranga i dyshuari për trafikim

30
0

Kërkimet ajrore dhe detare vijojnë me intensitet të lartë në zonën detare pranë ishullit grek të Kiosit, ku mbrëmjen e së martës (3 shkurt) ndodhi një tragjedi e rëndë, pas përplasjes së një anijeje të Rojës Bregdetare greke me një motoskaf që transportonte emigrantë. Bilanci deri tani është tragjik: 15 persona humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Sipas drejtorit të spitalit të Kiosit, Tsakiris Christou, 23 persona janë trajtuar për lëndime, prej të cilëve 22 janë shtetas afganë dhe një është punonjës i Rojës Bregdetare, i cili pritet të dalë së shpejti nga spitali. Aktualisht, 22 persona mbeten të shtruar, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore konsiderohet e qëndrueshme.

Midis të plagosurve ndodhen edhe 10 fëmijë nën moshën 15 vjeç, të shtruar në klinikën pediatrike. Një 13-vjeçar iu nënshtrua një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale për shkak të plagëve të rënda.

Dy gra shtatzëna ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por fatkeqësisht kanë humbur fetuset.

 

Sipas informacionit paraprak të publikuar nga Roja Bregdetare greke, motoskafi me emigrantët u pikas gjatë një patrullimi të planifikuar, teksa lëvizte pa drita drejt bregut lindor të Kiosit. Operatori i mjetit injoroi sinjalet zanore dhe vizuale për ndalim dhe tentoi të largohej duke ndryshuar kurs.

Gjatë ndjekjes ndodhi përplasja, ku motoskafi goditi anën e djathtë të anijes së Rojës Bregdetare, duke u përmbysur dhe u fundosur. Të gjithë personat në bord përfunduan në det.

Ministria greke e Transportit Detar ka urdhëruar zhvillimin e një Ekzaminimi Administrativ të Betuar për të hetuar shkaqet dhe rrethanat e incidentit. Në kuadër të hetimeve, autoritetet arrestuan një shtetas maroken, i dyshuar si kontrabandist, i cili pritet të dalë sot para gjyqtarit hetues.

Në operacionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar anije të Rojës Bregdetare dhe helikopterë të Forcave Ajrore, përfshirë një Super Puma të pajisur me kamera termike, që po “kreh” zonën për persona të zhdukur. Paralelisht, një ekip mjekësh ligjorë është nisur drejt Kiosit për të koordinuar hetimin mjeko-ligjor.

Momente rrëqethëse ka përshkruar zhytësi Vangelis Kyrithras, anëtar i ekipit të zhytjes së Rojës Bregdetare të Kiosit, i cili mori pjesë në operacion. Ai deklaroi se së bashku me dy zhytës të tjerë nxorën vetëm trupa pa shenja jete nga brenda varkës.

“Situata ishte e paimagjinueshme. Nxorrëm shumë trupa, përfshirë gra dhe fëmijë. Nuk kishte asnjë shenjë jete”, tha ai, duke shtuar se varka ishte vetëm gjashtë metra e gjatë dhe kishte një motor shumë të fuqishëm, çka e bënte edhe më të rrezikshme lundrimin.

Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje është fakti se kamera termike e anijes së Rojës Bregdetare nuk u përdor. Sipas burimeve zyrtare, kapiteni i anijes ka deklaruar se nuk e konsideroi të nevojshme, pasi motoskafi ishte lokalizuar tashmë nga kamera tokësore dhe vizualisht me dritë kërkimi.