Ballina Politika Rrëzohet projektligji për pagat e 11 mijë mësuesve, Zhupa: Manja na tha...

Rrëzohet projektligji për pagat e 11 mijë mësuesve, Zhupa: Manja na tha se jan pro nismës, por e votuan kundër

24
0

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka rrëzuar projektligjin e propozuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa, i cili synonte të barazonte pagesat për të gjithë mësuesit, pavarësisht nëse kanë përfunduar studimet para apo pas sistemit të Bolonjës.

Pas mbledhjes, deputetja Zhupa deklaroi se vota kundër e mazhorancës socialiste nuk ishte e bazuar në përmbajtjen e nismës, por ishte një akt i pastër politik.

Sipas deputetes, nisma e saj kishte për qëllim të korrigjonte një padrejtësi të shkaktuar nga një VKM e qershorit 2024, e cila preku 11,172 mësues, duke u hequr pagesën e kategorisë me rreth 50 mijë lekë të vjetra.

Ky projektligj, i mbështetur edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, do të ndikonte jo vetëm pagat aktuale, por edhe pensionet e ardhshme të mësuesve më të vjetër në sistem. Në një deklaratë për mediat, Zhupa zbuloi prapaskenën e votimit në komision, duke akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e tij, Ulsi Manja.

“Sot zoti Manja ka thënë tekstualisht: ne nuk jemi kundër nismës, por ne do ta votojmë kundër sepse është sjellë prej jush dhe ne do ta sjellim vetë këtë nismë,” deklaroi Zhupa. Sipas saj, ky qëndrim dëshmon se projektligjet që vijnë nga opozita nuk analizohen për meritë apo për përfitimet që i sjellin interesit publik, por rrëzohen vetëm për shkak të autorësisë. Ajo e quajti këtë qasje “fundin e parlamentarizmit”, ku parlamenti shndërrohet në një institucion që vetëm miraton ligjet e qeverisë, duke bllokuar çdo nismë opozitare.

Duke iu referuar kësaj situate, Zhupa i bëri një ofertë ironike mazhorancës: “Nëse kanë komplekse të tipit që nuk votojnë një projektligj të opozitës, jam shumë e gatshme të vendos në projektligjin tim emrin e Ulsi Manjës, Evis Kushit apo Ogerta Manastirliut.

Nuk ka asnjë problem, por ky kuvend duhet t’i shërbejë interesave të mësuesve.” Në përfundim, deputetja i bëri thirrje Partisë Socialiste të tërhiqet nga ky qëndrim dhe të votojë pro interesit të mësuesve në shqyrtimet e mëtejshme të nismës, si në Komisionin e Edukimit, ashtu edhe në seancë plenare.

Zhupa:

Sot ishim në Komisionin e ligjeve për të prezantuar projektligjin tim në lidhje me pagesat e kategorisë së mësuesve shqiptarë. Me pak fjalë, Komisioni i ligjeve sot kishte për të shqyrtuar nëse mësuesit që kanë mbaruar para sistemit të Bolonjës do të duhet të paguhen një lloj me kolegët e tyre që kanë mbaruar pas sistemit të Bolonjës.

Projektligji im korrigjon një gabim që është bërë me VKM-në në qershor të vitit 2024, ku 11.172 mësuesve ju hoq pagesa e kategorisë rreth 50.000 ALL të vjetra dhe nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre, vetëm sepse ata kishin mbaruar përpara sistemit të Bolonjës, institutet e larta të arsimit, të cilat edhe sipas ligjit, për efekt page njiheshin një lloj si shkollë e lartë apo si master profesional 60 dhe 90 kredite.

Kjo nismë u prezantua nga ana ime në Komisionin e ligjeve, sepse i shërben të gjithë mësuesve, është një propozim i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar dhe është një çështje që prej një viti e gjysëm rëndon xhepat e mësuesve shqiptarë, jo vetëm atyre që janë në sistem dhe marrin më pak pagesë, por edhe atyre që dalin shumë shpejt në pension, sepse do t’ju ndikojë gjithmonë në jetën e tyre në sasinë e pensionit që marrin, duke ju hequr para nga paga bazë që marrin sot. Sepse duhet të kemi parasysh që ata që prekin janë mësuesit më të vjetër, ata që kanë mbaruar përpara sistemit të Bolonjës.

Në diskutim, në komisionin e ligjeve, më lejuan të bëja vetëm prezantim dhe sot më në fund Kuvendi pranoi me zë dhe figurë nga goja e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, që projektligjet që vijnë nga deputetët e opozitës nuk analizohen nëse i sjellin të mirë interesit publik, qytetarëve, nëse janë në përputhje me kushtetutën apo jo, por analizohen vetëm kush i ka sjellë. Në momentin që i ka sjellë një deputet i opozitës, pa asnjë argument, ata e votojnë kundër dhe pa lejuar debatin. Sot zoti Manja ka thënë tekstualisht, ne nuk jemi kundër nismës, por ne do ta votojmë kundër sepse është sjellë prej jush dhe ne do ta sjellim vetë këtë nismë.

Dhe me këtë qëndrim që ata mbajtën sot, treguan qartësisht se e para pse rreth 60 nisma të deputetëve të opozitës lihen në syrtarët e Kuvendit që nga legjislatura e kaluar dhe tani, sepse ata nuk duan dhe nuk kanë argument për të votuar kundër dhe nuk duan që t’i votojnë pro, por edhe kur i sjellin, ata nuk kanë asnjë argument se pse mësuesit shqiptarë nuk duhet të përfitojnë që sot dhe të marrin drejtësinë e vonuar për atë pagesën e kategorisë, por vetëm pse e sjell një deputet i opozitës.

Pra, sipas tyre, parlamenti duhet të jetë vetëm një paradhomë e ligjeve që sjell qeveria dhe parlamentarët të rrinë dhe të votojnë vetëm atë që do qeveria shqiptare. Asnjë nismë tjetër nuk do të miratohet edhe pse i shërben interesit publik, edhe pse i shërben qytetarëve shqiptarë, sepse sot bëhet fjalë me të vërtetë për 11.172 mësues, por bëhet fjalë për sistemin arsimor, sepse do kesh mësues më të motivuar, mësues me trajtim financiar dinjitoz, të cilët do të japin edhe mësim më cilësor dhe më të pastresuar fëmijëve shqiptarë. Kur arsimi duhet të kishte më shumë fonde se çdo sektor tjetër.

Dhe të pranosh me zë dhe figurë që ti nuk bën një ligj për interesin e mësuesve, jo se ke ndonjë argument kundër, jo sepse kjo është në shkelje të ndonjë kushtetute apo të ndonjë ligji të shtetit shqiptar, por vetëm sepse vjen nga një nga një opozitar, kjo është fundi i parlamentarizmit. Pra, një parlament që shërben vetëm për të miratuar ligjet e qeverisë.

Ndaj unë kërkova sot këtë deklaratë për shtyp. E para për t’i bërë thirrje Partisë Socialiste që pavarësisht votimit në Komisionin e ligjeve të tërhiqen nga këto votime kundra interesit publik dhe kundra interesit të mësuesve. Ne do të kemi mundësinë ta shqyrtojmë edhe në komisionin e edukimit, do të kemi mundësinë edhe në seancë plenare, të tërhiqen dhe të votojnë pro interesit të mësuesve, pro ligjit që e kërkojnë mësuesit, pro ligjit që e kërkon sindikata e mësuesve dhe që e kanë të nevojshme për trajtimin e tyre financiar. Nëse kanë komplekse të tipit që nuk votojmë ne një projektligj të maxhorancës të opozitës, jam shumë e gatshme të vendos në projektligjin tim emrin edhe të një kolegu tjetër të mazhorancës. Le të vendosim emrin e Ulsi Manjës, emrin e Evis Kushit, apo të Ogerta Manastirliut që ja u hoqi me VKM.

Nuk ka asnjë problem, por ky kuvend duhet t’i shërbejë interesave të mësuesve. Ky kuvend sot ka krijuar në mënyrë të paprecedent një rast i cili thotë, ne nuk votojmë ligje që vijnë nga deputetët e opozitës. Pra do të thotë që nga sot e tutje ne nuk duhet të çojmë asnjë nismë ligjore sepse këtu kemi një votë të absolute kundër interesit publik. Dhe ky nuk është parlamentarizmi, ky nuk është standart që kërkon Bashkimi Europian, që kërkon një gjithëpërfshirje të kuvendit në procesin jo vetëm legjislativ, por në mirëqeverisje dhe në standartet e integrimit europian dhe kjo është vetëm tallje me kuvendin dhe mos ndjekje e interesit publik të qytetarëve shqiptarë dhe në këtë rast të mësuesve shqiptarë. Shumë faleminderit për kohën dhe për mundësinë.