Ballina Politika Demokrati ja thotë në sy Berishës: “Duam kandidat politik, me Binajn nuk...

Demokrati ja thotë në sy Berishës: “Duam kandidat politik, me Binajn nuk kemi punë”

30
0

Sali Berisha u përball sot me kundërshtimin e parë publik nga baza e Partisë Demokratike lidhur me kandidatin e preferuar të opozitës së bashkuar për Bashkinë e Tiranës, aktorin Florian Binaj.

Gjatë një takimi me demokratët e kryeqytetit, atmosfera u tensionua kur një prej tyre foli hapur dhe pa doreza përballë kryetarit të PD-së, duke shprehur pakënaqësinë e qartë ndaj idesë së kandidimit të Binajt.

Demokrati i moshuar iu drejtua Berishës prerë dhe troç:

“Duam kandidatin për Bashkinë e Tiranës. Nuk mund të presim deri në fund. Ose nxirreni kandidatin politik, ose hiqni dorë dhe ta marrë Florian Binaj. Por ne nuk kemi punë me Florian Binajn. Ne duam kandidat politik. Nëse na bien Florian Binaj e kompani, unë i pari nuk i votoj.”

Ky qëndrim pasqyron një shqetësim që duket se po përhapet mes bazës së PD-së në Tiranë: frika se opozita mund të shkojë në zgjedhje me një figurë jo partiake, ndërsa një pjesë e demokratëve kërkojnë një kandidat të profilit të qartë politik.

Ajo që ra në sy ishte reagimi i vetë Berishës. I njohur për prirjen për t’iu përgjigjur çdo kritike, këtë herë ai nuk debatoi, nuk kundërshtoi dhe nuk argumentoi. Ai thjesht e ndërpreu demokratin me dy fjalë: “Tjetri.”

Kjo heshtje e pazakontë e kryetarit të PD-së la të kuptohet se tensioni rreth emrit të Florian Binajt është më i thellë se sa duket publikisht dhe se çështja e kandidatit për Tiranën mbetet e hapur, e brishtë dhe e debatueshme brenda vetë opozitës.