Ballina Aktualitet Hapet gara për drejtuesit e 9 shërbimeve kryesore në QSUT

Hapet gara për drejtuesit e 9 shërbimeve kryesore në QSUT

32
0

Hapet zyrtarisht gara për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të 9 shërbimeve kryesore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Komisioni i Posaçëm për përzgjedhjen e drejtuesve të shërbimeve universitare shëndetësore ka shpallur konkurrimin për disa nga repartet më të rëndësishme të spitalit.

Mes shërbimeve që pritet të kenë shefa të rinj janë: Anestezi–Reanimacioni, Toksikologjia Klinike, Neurologjia, Onkohematologjia Pediatrike, Nefrologjia dhe Dializa Pediatrike, Onkologjia, Reumatologjia, Alergologjia dhe Dermatologjia.

Shpallja zyrtare është publikuar në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Sipas njoftimit, kandidatët e interesuar mund të dorëzojnë dosjet e aplikimit nga data 10 deri më 25 shkurt, pranë Zyrës së Burimeve Njerëzore të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë.

Për t’u kualifikuar, kandidatët duhet të jenë mjekë specialistë të shërbimit për të cilin konkurrojnë, të kenë titull akademik Profesor, Profesor i Asociuar ose Doktoraturë, si dhe përvojë akademike minimale 5 vite dhe përvojë klinike jo më pak se 10 vite në specialitetin përkatës.

Po ashtu, aplikantët duhet të jenë pedagogë me kohë të plotë, të mos kenë dënime penale apo masa disiplinore në fuqi dhe të paraqesin një platformë strategjike katërvjeçare për zhvillimin e shërbimit universitar që synojnë të drejtojnë.

Lista e kandidatëve të kualifikuar do të publikohet pas shqyrtimit të dokumentacionit, në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.