Ballina Ekonomia OST hap garën për linjën e re 110 kV Zogu i Zi...

OST hap garën për linjën e re 110 kV Zogu i Zi – Tirana, Qendër, investim 287 mln lekë

24
0

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka hapur garën për ndërtimin e linjës së re elektrike 110 kilovolt Zogu i Zi – Tirana, Qendër, si dhe për kryerjen e punimeve në nënstacionin elektrik Tirana, Qendër, një investim që synon forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike në kryeqytet.

Procedura e prokurimit është publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, ndërsa fondi limit i përllogaritur për realizimin e këtij projekti arrin në 287 milionë e 336 mijë lekë.

Sipas dokumenteve të tenderit, objekti i kontratës përfshin ndërtimin e bazamenteve dhe vendosjen e tre terminaleve 110 kV me shkarkues për linjën e re kabllore Zogu i Zi – Tirana, Qendër, në nënstacionin Tirana. Njëkohësisht, parashikohet edhe montimi i tre terminaleve të tjerë 110 kV në strukturat metalike të instaluara në nënstacionin Zogu i Zi.

Qëllimi kryesor i këtij investimi është rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, ulja e riskut të ndërprerjeve dhe përmirësimi i funksionimit të rrjetit të transmetimit në zonat urbane me ngarkesë të lartë, veçanërisht në Tiranë, ku kërkesa për energji vijon të rritet.

Punimet do të realizohen në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë në sektorin energjetik. Referuar dokumentacionit të publikuar, të gjitha pjesët me tension deri në 1000 volt do të izolohen në mënyrë të tillë që të shmanget çdo kontakt aksidental. Po ashtu, theksohet se çdo pjesë me tension që mund të preket me dorë duhet të izolohet nga kontakti direkt, përmes përdorimit të pajisjeve izoluese, rregullimit të pozicionit të pajisjeve apo aplikimit të zgjidhjeve teknike speciale.

Investimi është pjesë e programit të vazhdueshëm të OST për modernizimin e rrjetit të transmetimit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik kombëtar.