Të premten e kaluar është zhvilluar në Bruksel një mbledhje ku është diskutuar për kthesën e mazhorancës në raport me drejtësinë e re, konkretisht me dosjen Balluku. Qëndrimi i mazhorancës për arrestimin apo jo të zv.kryeministres do të ketë pasoja për integrimin.
Kaloi fare pa zhurmë fundjavën e kaluar një forum i dialogut me temën “Edhe disa hapa akoma drejt BE” që u zhvillua në Vlorë. Pritej që Edi Rama të bëhej pjesë e aktivitetit ku e prisnin Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ambasadorja franceze Catherine Suard, ministrja e Jashtme Elisa Spiropali etj, por kryeministri e anuloi papritur udhëtimin drejt Vlorës dhe si një figurë që zakonisht dominon panele të kësaj natyre, mungesa e tij la në hije të gjithë aktivitetin.
Anulimi i udhëtimit drejt Vlorës erdhi në minutat e fundit, por një burim tha për Lapsi.al se shkak u bë një shqetësim i fortë lidhur me zhvillime në Bruksel rreth hetimeve të SPAK për Belinda Ballukun dhe tensioneve institucionale që ai ka prodhuar.
Këto zhvillime kishin të bënin me një mbledhje të premten e datës 30 Janar në ndërtesën Justus Lipsius në Bruksel për një takim të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE, një forum teknik i Këshillit të BE ku përfaqësuesit e shteteve anëtare diskutojnë në mënyrë të mbyllur çështjet e zgjerimit.
Në këtë tryezë, sipas burimeve, përveç dosjeve të zakonshme, ishte prekur edhe situata në Shqipëri, konkretisht ngërçi institucional i krijuar pas hetimit të SPAK ndaj Belinda Ballukut dhe refuzimit të mazhorancës për të dhënë autorizim për arrestimin e saj.
Burimi që informoi Lapsi.al pohon se në diskutim është shprehur shqetësim për atë që është perceptuar si një kthesë e qeverisë në raport me drejtësinë e re. Mësohet se lëvizjet e fundit të mazhorancës socialiste janë lexuar në Bruksel si një thyerje e partneritetit që ishte ndërtuar ndër vite nga qeveria Rama me sistemin e reformuar të drejtësisë, në veçanti me SPAK, institucioni që ka pasur mbështetje të fortë nga trupa diplomatike.
Por çështja nuk përfundon këtu. Duhet kuptuar se takime si ky i Grupit të Punës për Zgjerimin zhvillohen në tryeza të mbyllura dhe shoqërohen me diskrecion të rreptë mes diplomatëve.
Kos i ka përcjellë Ramës qëndrimet aspak të qeta nga përfaqësues të vendeve kyçe si Gjermania, Franca dhe Holanda kryesisht për çështjen e SPAK ndaj zv.kryeministres së pandehur Belinda Balluku e cila megjithëse përballet nga akuza dhe është kapur në përgjime kompromentuese vazhdon të mbahet në detyre.
Duhet thënë se Franca dhe Holanda janë dy vende që përmenden shpesh në këtë kontekst, edhe për shkak të interesit të kompanive të tyre në tenderin e portit të ri të Durrësit, një garë që përfundoi me skualifikimin pa një rrugë efektive ankimi të kompanive nga këto vende. Këto janë nga shembuj që ushqejnë bindjen për problemet në klimën e investimeve dhe për funksionimin e rregullave të lojës në sistemin e prokurimeve në vendin tonë.
Pikërisht pas kësaj bisede me Marta Kos, mësohet se Rama është alarmuar dhe ka anuluar udhëtimin në Vlorë për të bërë një seri telefonatash në kancelaritë europiane me qëllim zbutjen e toneve dhe për të shmangur një përshkallëzim diplomatik.
I kapur në një situatë emergjente, kryeministri ka shpërfillur totalisht marrëdhënien e konfidencialitetit mes diplomatëve në Bruksel, duke vënë në pozitë të vështirë edhe komisioneren për zgjerimin Marta Kos.







