IBF International Consulting, një kompani që ka fituar kontrata të mëdha të ndihmës për zhvillim nga Komisioni Europian,është vënë sërish nën lupë në Bruksel. Kompania është ndaluar të garojë për tendera të rinj të BE-së për dy vjet, për shkak të dyshimeve për “shkelje të rënda profesionale”. Kjo shënon një tjetër goditje serioze për firmën e konsulencës, e cila aktualisht është nën hetim penal nga prokurorët europianë, dhe mund të ketë pasoja zinxhir në sektorin e ndihmës.
Një nga kontraktorët më të mëdhenj të BE-së është pezulluar sërish nga Komisioni Europian, duke shënuar një tjetër hap pas për një konsulencë kontroverse që ka marrë qindra milionë euro në kontrata për ndihmë zhvillimi.
IBF International Consulting, një firmë konsulence me seli në Bruksel dhe me një të kaluar problematike, u ndalua nga Komisioni në fillim të dhjetorit të marrë pjesë në tendera të prokurimit publik të BE-së për dy vjet, sipas një letre të parë nga Follow the Money dhe IrpiMedia.
Kompania kryesisht zbaton projekte të BE-së në vendet në zhvillim, nga promovimi i barazisë gjinore në Afrikën e Jugut, te përgatitja e zyrtarëve në Shqipëri për burokracinë e bllokut.
Letra e Komisionit nuk e specifikonte arsyen e pezullimit të IBF-së, por i referohej “shkeljeve të rënda profesionale” në lidhje me një kontratë të madhe të BE-së për shërbime të politikës së jashtme.
Ditën që hyri në fuqi ndalimi, me 9 dhjetor, CEO i IBF-së, Frédéric André, u tha rreth 100 punonjësve në një email të brendshëm se çështja lidhej me dy tendera të BE-së për projekte në Moldavi.
Disa kompani që ofrojnë ndihmë zhvillimi dhe kanë bashkëpunuar me IBF-në po shqyrtojnë tani ndërprerjen e marrëdhënieve me këtë firmë konsulence, sipas tre personave të informuar për çështjen që folën për FTM.
Kjo do të thotë edhe më shumë trazira për një kompani që u pezullua nga Komisioni në vitin 2020 për përdorimin e informacionit të rrjedhur, me qëllim manipulimin e procesit të prokurimit të BE-së dhe fitimin e kontratave.
Firma konsulente është gjithashtu aktualisht nën hetim penal nga autoritetet shqiptare dhe nga Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO), për vepra të dyshuara që përfshijnë korrupsion, falsifikim dhe pastrim parash.
Në përgjigje të pyetjeve me email nga FTM, IBF konfirmoi se po e kundërshton përjashtimin e saj në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së.
Vendimi i Komisionit ngre “shqetësime për sigurinë juridike dhe përdorimin proporcional të sanksioneve në tenderat e BE-së”, tha menaxhmenti i IBF-së në një deklaratë me email.
Përjashtimi ka ndikuar në reputacionin e kompanisë dhe te stafi i saj, shtoi ajo.
Një zëdhënës i Komisionit refuzoi të komentonte arsyen e pezullimit të IBF-së, duke i thënë FTM-së se diskutimet dhe procedurat e panelit të Sistemit të Zbulimit të Hershëm dhe Përjashtimit (EDES) janë konfidenciale.
Megjithatë, zëdhënësi tha se EDES është krijuar “për të forcuar mbrojtjen e interesave financiare të Unionit kundër personave dhe entiteteve të pasigurta”.
Përdorimi i konsulencave nga Komisioni ka qenë nën lupë vitet e fundit, me kritikë që vënë në dyshim vlerën për paratë, shpërdorimin dhe rrezikun e konflikteve të interesit, ndër çështje të tjera.
Një raport i vitit 2022 nga Gjykata Europiane e Auditorëve konstatoi se Komisioni nuk i menaxhonte mjaftueshëm këto rreziqe dhe tha se “raportimi mbi përdorimin e konsulentëve ishte i dobët”.
Efekti zinxhir
Pezullimi nuk është vetëm një goditje për IBF-në, është një problem për sektorin më të gjerë të ndihmës për zhvillim.
Në dhjetor, paniku filloi të përhapej mes konsulencave që punojnë në konsorciume me IBF për të ofruar shërbime për departamentet e politikës së jashtme të BE-së, si pjesë e një kontrate të madhe kornizë me vlerë deri në 660 milionë euro në total.
Kompanitë morën një letër nga Komisioni që i informonte se IBF ishte përjashtuar “nga pjesëmarrja në procedurat e dhënies së kontratave për prokurimin publik të BE-së për një periudhë dyvjeçare”, duke filluar nga 9 dhjetori 2025.
Përjashtimi zbatohet vetëm për IBF International Consulting SA, e cila ka seli në Belgjikë. Megjithatë, firma e konsulencës ka krijuar disa entitete të reja korporative vitet e fundit.
Ish-punonjës të IBF-së i thanë FTM-së se këto entitete në thelb funksionojnë si një kompani e vetme, e drejtuar nga André dhe me të njëjtët persona që menaxhojnë burimet njerëzore dhe financat.
Drejtuesit e IBF-së thanë se e kundërshtojnë këtë përshkrim.
“Kompanitë IBF nuk formojnë një kompani të madhe të vetme dhe nuk ka menaxhim të përbashkët,” i tha ajo FTM-së.
Letra e Komisionit thoshte se po shqyrtohej nëse do të ndërpriteshin pjesët e kontratës kornizë ku kishte marrë pjesë IBF-ja, të cilat përbëjnë shumicën e punës.
Gjithashtu thuhej se konsorciumet që përfshijnë IBF-në do të ndaloheshin të garonin për projekte të reja, ndërsa çështja po vlerësohej.
Si rrjedhojë, konsulencat e ndihmës për zhvillim po shqyrtojnë heqjen e të gjitha entiteteve të IBF-së, jo vetëm IBF International Consulting SA, nga konsorciumet e tyre në kuadër të kontratës kornizë, u thanë FTM-së tre persona nga sektori.
Në emailin e tij drejtuar stafit më 9 dhjetor, André tha se pezullimi i IBF-së nga Komisioni e ka origjinën në vitin 2018, kur kompania punësoi të njëjtin ekspert për dy tendera të ndryshëm në Moldavi.
Ai tha se IBF-ja ishte “në anën e duhur”, pasi kishte kaluar mjaftueshëm kohë mes kontratave.
“Ne patjetër do të depozitojmë një ankesë te Avokati i Popullit për keqadministrim dhe do të shohim nëse do të hapim një çështje në Gjykatën e Drejtësisë,” shkroi André në email.
Drejtuesit e IBF-së konfirmuan për FTM-në se që atëherë ka nisur procedura gjyqësore.
Rënia nga lavdia
Edhe pse IBF-ja ka funksionuar për gati gjysmë shekulli, u themelua në vitin 1977,firma e konsulencës ka rënë në qendër të vëmendjes dhe polemikave vetëm vitet e fundit.
IBF-ja u rrit në përmasa dhe rëndësi nga fillimi i viteve 2000, duke fituar kontrata nga një sërë institucionesh.
Në kulmin e saj në vitin 2018, firma e konsulencës punësonte rreth 200 punonjës dhe kontraktorë, kryesisht me bazë në Belgjikë, sipas një ish-punonjësi.
Ajo specializohet në ofrimin e mbështetjes me ekspertë për vendet e Ballkanit, shumë prej të cilave po përgatiten për anëtarësim në BE, dhe Afrikën e Veriut, duke i ndihmuar këto vende të përmirësojnë qeverisjen, infrastrukturën apo shërbimet sociale përmes këshillimit ose trajnimit.
Komisioni Europian ka qenë prej kohësh klienti kryesor i saj. Mes viteve 2014 dhe 2024, entitetet e IBF-së kanë marrë kontrata nga Komisioni me vlerë mbi 358 milionë euro.
Por gjërat nisën të shkonin keq për firmën e konsulencës në vitin 2020.
Në janar të atij viti, Komisioni fillimisht e ndaloi IBF-në të merrte pjesë në projekte të reja për një periudhë 18-mujore.
Kompania u fut në listën e zezë për sigurimin e informacionit të rrjedhur përmes një konflikti interesi, duke i dhënë asaj një avantazh të padrejtë në tendera publikë.
Megjithatë, IBF-ja u zotua se do t’i adresonte shkeljet, përfshirë kufizimin e ndikimit të CEO-së në procesin e tenderimit.
Ndalimi përfundoi duke zgjatur vetëm tre muaj, me kompaninë që fitoi kontrata të reja të BE-së në prill 2020.
Pavarësisht këtij lehtësimi, IBF-ja që atëherë është përballur me presion në disa fronte.
Që nga viti 2020, IBF-ja është nën hetim penal në Shqipëri, ku CEO André e nisi karrierën e tij në Delegacionin e BE-së në vitet 1990, për shkelje të dyshuara të rregullave të prokurimit dhe pastrim parash.
Ajo po hetohet gjithashtu nga EPPO dhe autoritetet belge për korrupsion të dyshuar, falsifikim, pastrim parash, mashtrim dhe organizatë kriminale, sipas një dokumenti zyrtar të parë nga FTM.
Në vitin 2024, policia belge mori në pyetje punonjës të IBF-së dhe i pyeti për pagesa në para që dyshohet se janë bërë përveç pagave të tyre, tha një nga punonjësit e pyetur.
Hetimi është mjaft i avancuar dhe përfshin të paktën një zyrtar të Komisionit si të dyshuar, sipas një personi të njohur me çështjen.
Drejtuesit e IBF-së i thanë FTM-së se autoritetet shqiptare “i kanë kërkuar IBF International Consulting vetëm disa sqarime në vitin 2023, të lidhura me një situatë që daton nga viti 2016”.
Në lidhje me hetimin belg, IBF-ja tha se policia kishte marrë në pyetje disa nga punonjësit e saj.
“Ne besojmë se dokumentacioni i ofruar do të jetë i mjaftueshëm që policia ta mbyllë çështjen,”i shkruan drejtuesit e firmës së konsulencës.
Në një incident tjetër, Delegacioni i BE-së në Algjeri i bëri të ditur IBF-së në nëntor 2024 se dëshironte të rikuperonte të gjithë shumën prej 8 milionë eurosh që kishte dhënë për një projekt të tranzicionit energjetik të zbatuar nga kompania.
CEO i IBF-së, André, u tha stafit në një email në korrik 2025 se firma kishte kundërshtuar ankesën dhe se kërkesa për rikuperim ishte tërhequr.
Megjithatë, Komisioni Europian dha një version tjetër kur u pyet për këtë nga FTM.
“Komisioni nuk ka vendosur të tërheqë rikuperimin, por të rishqyrtojë shumën,” tha një zëdhënës.
Kur u pyetën për koment, drejtuesit e IBF-së thnë se po e kundërshtojnë edhe shumën e re dhe po presin një përgjigje nga Komisioni.
Pezullimi më i fundit vjen në një kohë kur morali në IBF është i ulët dhe ka shqetësime për të ardhmen e kompanisë, u thanë FTM-së dhe IrpiMedia-s dy persona që kanë punuar më parë aty.
“Duket sikur IBF-ja do që njerëzit të largohen. Punonjësit po pushohen nga puna,” tha një ish-punonjës, në kushte anonimiteti.
“Njerëzit janë shumë të pakënaqur.”







