Poshtërime publike, dënime me punë të detyruar e së fundi edhe dënime me vdekje, Koreja e Veriut e ka çuar në nivel absurdi ndëshkimin për të rinjtë që guxojnë të shohin fshehurazi srealet koreano-jugore apo të dëgjojnë muzikë K-pop.
Edhe këtu megjithatë, goditjen më të ashpër e pësojnë të varfrit të cilët nuk kanë mundësi të përballojnë ryshfetet, ndërsa familjet më të pasura ia dalin t`i shpëtojnë masave të rënda. Situata është denoncuar nga Amnesty International, e cila shpjegon se nga dëshmitë e shumta të qytetarëve të arratisur nga regjimi i Kim Jong-un del në pah “një tablo e një sistemi arbitrar dhe të korruptuar”.
Shpesh janë adoleshentët ata që vuajnë më shumë nga represioni: disa të rinj të kapur duke dëgjuar grupin koreano-jugor me famë botërore BTS, janë dërguar në kampe riedukimi. Në vitin 2025, Amnesty International zhvilloi 25 intervista, 11 prej të cilave midis viteve 2019 dhe 2020, me persona të arratisur nga Koreja e Veriut, shumica e të cilëve ishin nga 15 deri në 25 vjeç në momentin e largimit nga regjimi.
Në vitin 2020, miratimi i Ligjit kundër mendimit dhe kulturës reaksionare e përkeqësoi edhe më tej situatën: që nga ajo kohë, përmbajtjet koreanojugore etiketohen si “ideologji e korruptuar që paralizon ndjenjat revolucionare të popullit”. Prej dekadash, qeveria e Koresë së Veriut përdor një forcë policore të specializuar për shtypjen e konsumimit të përmbajtjeve informative të huaja: bëhet fjalë për “Grupin 109”, shpjegon organizata, i cili kryen kontrolle të papritura në banesa dhe kontrolle në rrugë, ku kontrollohen çantat dhe telefonat celularë.
Mizoria nuk i kursen as më të rinjtë e në shumë raste, sipas Amnesty, shkollat, dhe jo vetëm ato të mesme, i kanë detyruar nxënësit të asistojnë në ekzekutime me toga pushkatimi.







