Ballina Aktualitet Qytetarët shqiptarë konsumuan fara susami të kontaminuara me aflatoksinë

Qytetarët shqiptarë konsumuan fara susami të kontaminuara me aflatoksinë

23
0

Edhe pse konsiderohen si një produkt i shëndetshëm dhe i përdorur gjerësisht në ushqim, farat e susamit të importuara në Shqipëri në janar 2026 kanë rezultuar të kontaminuara me aflatoksinë, duke përbërë rrezik potencial për shëndetin e njeriut.

Alarmi është ngritur nga Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar autoritetet shqiptare se, pas analizave laboratorike, në farat e zeza të susamit me origjinë nga Bolivia është konstatuar prania e kësaj toksine të rrezikshme.

Aflatoksina është një toksinë helmuese, e cila dëmton  mëlçinë dhe, nëse konsumohet për një kohë të gjatë, rrit ndjeshëm rrezikun për kancer. Rreziku bëhet edhe më serioz në rastin e farave të susamit, pasi aflatoksina nuk shihet, nuk ka shije dhe nuk eliminohet as me larje dhe as me gatim, duke e bërë konsumatorin plotësisht të pambrojtur.

AKU njofton se sasia e farave të susamit më origjinë nga Bolivia e importuar në vendin tonë është 300 kg.

Nga kjo sasi 288.5 (dyqind e tetëdhjetë e tetë pikë pesë) kg është shitur dhe konsumuar nga qytetarët dhe sasia e bllokuar është vetëm 11.5 (njëmbëdhjetë pikë pesë) kg.

 

Produkti i kontaminuar është shpërndarë në disa qytete të vendit,  më konkretisht në: Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Pogradec, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër, duke e shtrirë rrezikun pothuajse në të gjithë territorin e vendit.