Liverpooli u largua kokulur, ndërsa Manchester City me kokën lart nga “Anfield”, pas fitores 2:1 në derbin e javës së 25-të të Premier League.
City doli fitues në një ndeshje dramatike, e cila kulmoi me momente spektakolare dhe gola vendimtarë në minutat e fundit.
Veçanta e këtij derbi padyshim ishte minuta e 74-të, kur Dominik Szoboszlai mahniti gjithë stadiumin me një eurogol.
Futbollisti hungarez ekzekutoi një goditje dënimi nga rreth 25 metra.
Topi shkoi në këndin e epërm të majtë, goditi shtyllën dhe përfundoi në rrjetë, duke lënë portierin Donnarumma të shtangur, pa asnjë mundësi reagimi.
City arriti të barazojë në minutën e 84-të, kur Bernardo Silva realizoi për 1:1 pas asistimit të Erling Haaland.
Drama vazhdoi deri në fund.
Në minutën e 90+1, portieri i Liverpoolit Alisson shkaktoi penallti, ndërsa Haaland ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë në minutën e 90+3, duke i dhënë fitoren 1:2 Manchester Cityt.
Pas kësaj fitoreje, Manchester City renditet në vendin e dytë me 50 pikë, ndërsa Liverpooli është në pozitën e gjashtë me 39 pikë të grumbulluara.







