Ballina Kronika DURRES/ Shkon në 6 numri i shtetasve të arrestuar që drejtonin automjetet...

DURRES/ Shkon në 6 numri i shtetasve të arrestuar që drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe tentonin të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore

28
0

Monitorim intensiv i qarkullimit rrugor me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Shkon në 6 numri i shtetasve të arrestuar që drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe tentonin të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore për t’iu shmangur testit të alkoolit dhe arrestimit.

Gjatë fundjavës, në kuadër të planit të masave “Fundjava”, janë vënë në pranga 5 drejtues automjetesh, të cilët drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

Ndërkohë, dy prej tyre, për të shmangur testin e alkoolit dhe arrestimin, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, duke u ofruar para.

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës, gjatë monitorimeve intensive në zbatim të planit të masave “Fundjava”, në rrugën “Petrit Llaftiu” dhe në rrugën “Taulantia”, kanë konstatuar dy automjete që kryenin manovra të rrezikshme në rrugë dhe janë ndaluar menjëherë nga punonjësit e Policisë.

Me qëllim shmangien e masës administrative, dy drejtuesit, shtetasit N. N. dhe H. M., kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, duke ofruar shuma parash.
Nga kryerja e testit të alkoolit për drejtuesin e automjetit në rrugën “Petrit Llaftiu”, shtetasi N. N., rezultoi se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 1.62 mg/l.
Ndërsa drejtuesi i automjetit në rrugën “Taulantia”, shtetasi H. M., rezultoi se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 1.57 mg/l. (Gjatë muajit Janar janë arrestuar dhe 4 drejtues automjetesh që drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore)

Gjithashtu, gjatë monitorimit, u arrestuan shtetasja D. M. dhe shtetasi D. Ç., pasi u konstatuan duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur, konkretisht shtetasja D. M. në masën 1.22 mg/l, ndërsa shtetasi D. Ç. në masën 2.21 mg/l.

Po gjatë monitorimeve, në rrugën “Hysen Kertusha”, u arrestua shtetasi R. D., banues në Durrës, i cili u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë automjetet në gjendje të dehur, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit.