Një mërgimtar nga Kosova, i cili jeton dhe punon në Gjermani, ka denoncuar publikisht një rast keqtrajtimi nga autoritetet serbe gjatë një udhëtimi tranzit nëpër Serbi.
Rilind Krasniqi ka bërë të ditur se është ndaluar dhe bastisur për rreth një orë nga autoritetet serbe, të cilët i kanë kontrolluar pajisjet personale dhe i kanë konfiskuar sende të ndryshme, përfshirë edhe shumën prej 2,500 euro.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi thekson se bastisja lidhej drejtpërdrejt me fotografi që ai kishte në telefon dhe në profilin e tij në Facebook. Mes tyre ishin imazhe të babait të tij, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe figura të njohura të luftës për liri, përfshirë Adem Jasharin, Vesel Arucin dhe Mujë Krasniqin.
“Ata më bastisën për rreth një orë, më kontrolluan në mënyrë të detajuar dhe më morën sende personale, përfshirë para në vlerë 2,500 euro,” shkroi Krasniqi, duke apeluar njëkohësisht që qytetarët kosovarë të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin udhëtimet nëpër Serbi.
Sipas tij, kjo përvojë dëshmon se qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata që kanë lidhje familjare apo simbolike me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mund të përballen me trajtim diskriminues dhe kontrolle të ashpra nga autoritetet serbe.
Rasti i Krasniqit nuk është i izoluar. Edhe më herët qytetarë të Kosovës kanë raportuar situata të ngjashme në pikat kufitare serbe. Së fundmi, qytetari Mitehat Llozhani u arrestua nga autoritetet serbe në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka deklaruar se Serbia po shkel normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion për ndaljen e këtyre praktikave.







