Ballina Kulturë Gani Mehmetaj: Janë disa vepra që do t’i hiqja nga Antologjia e...

Gani Mehmetaj: Janë disa vepra që do t’i hiqja nga Antologjia e letërsisë shqipe

26
0

Shkrimtari Gani Mehmetaj jep vlerësimet e tij për letrat Shqipe, por dhe ato që nuk do ti preferonte.

Cila ka qenë vepra e parë që keni lexuar nga letërsia shqipe dhe ç’përshtypje ju ka lënë?

Nga ajo që mbaj në mend është “Lugjet e verdha” të shkrimtarit për fëmijë Rexhep Hoxha. Një përrallë interesante dhe me imagjinatë. Më kujtohet se më mbante pezull, me padurim e lexoja duke i ndjekur ngjarjet dhe bëmat e personazheve.

Po vepra e fundit që keni lexuar nga letërsia shqipe dhe çfarë shijeje ju la në lexim?

Fatos Kongoli me romanin “Gjemia e mbytur” ka një qasje interesante që herë më duket si ballo e fantazmave, herë si përftim i së kaluarës së errët të Shqipërisë. Çfarë përshtypje më la? E lexova dhe pastaj i thashë vetes: më mirë të mos e kisha lexuar!

Por prapë do ta lexoja. “Gjemia e mbytur” është ndryshe nga sa kam lexuar nga autorë shqiptarë. Të shijon dhe të shtie në përsiatje.

Kush është, sipas jush, autori i mbivlerësuar i letërsisë shqipe dhe si e shpjegoni?

Është shkruar më së shumti për Ismail Kadarenë, por ai edhe më tutje është njëshi. Në të kaluarën më ka penguar një përpjekje për të nxjerrë tre autorë shqiptarë më të suksesshëm. Sikur donin t’i barazonin: Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin dhe Fatos Arapin. Secili prej tyre e kishte vendin e veçantë në letërsi, por ishin të ndryshëm me stil, tema, llojin e letërsisë dhe më mënyrën e rrëfimit. Pastaj edhe shkalla e popullaritetit nuk ishte e njëjtë. I kanë barazuar, ndërsa nuk ishin të barabartë. Ndërkaq, i kanë mbivlerësuar jo një por disa shkrimtarë, që sot nuk lënë gjurmë në letërsinë shqipe. Është bërë zhurmë e madhe për ta, por kritika nuk i ndihmoi të mbeten në sipërfaqe. “Shumë zhurmë për asgjë”, më duket se e ka titullin një roman. Kështu ishte për disa autorë. Koha i shleu. Në të njëjtën mënyrë pas viteve të nëntëdhjetë i nxorën disa shkrimtarë “disidentë” që nuk ishin të tillë, sepse pushteti i atëhershëm nuk lejonte disidencë, i vriste a i burgoste. Në emër të disidentizmit i bënë yje, ndërsa nuk kishin vlera.

Po autori i nënvlerësuar nga letërsia shqipe?

Azem Shkreli me tregimet “Sytë e Evës dhe romanin “Karvani i bardhë”, të shkruara para më shumë se pesëdhjetë vjetësh. Të dy prozat janë shkruar në gegnishte. Romanin “Karvani i bardhë” e ka shkruar në moshën 17-vjeçare. Autori e zgjeroi në fund të viteve Nëntëdhjetë. Mua më shijoi edhe me plotësime. Do ta vija në kreun e letërsisë shqipe, edhe pse nuk e përjetoja njëjtë si versionin e parë, që ka lënë gjurmë. Janë edhe tregimet e Anton Pashkut, po ashtu të shkruara në gegnishte, që më duken shumë të mira. Pashku e ka një prozë të veçantë, pak të mbyllur por ndryshe nga autorë të tjerë.

Kë prej personazheve që keni krijuar, e shihni më të realizuarin?

Më duket se është kolonia Milena nga romani “Muri i heshtjes” e dashuruar në shqiptarin vendës, por që ka një dramë të fuqishme. Nuk e ka fundin tragjik të Xhulietës e as të Ofelisë, por ka një fatkeqësi tronditëse që ia shkaktojnë njerëzit e kombit të saj. Do ta veçoja edhe personazhin, Daorsi nga romani “Kalorësit e Dardanisë”, një figurë e veçantë e një kohe që lufton dhe vritet për një ideal. Ai do të bëhej hero që mbahet në mend për një kohë të gjatë po të bëhej film, sepse e kam menduar film-spektakël. E dua atë figurë.

A ka ndonjë personazh që nuk keni mundur ta krijoni?

Është një tip i vajzës a gruas së veçantë nga novela “Raporti i Mitro Agait”, joshëse dhe e mistershme që jam përpjekur ta krijoj, por nuk kam arritur për shumë arsye. Më ikte portreti i saj, në veçanti më ikte karakteri dhe sharmi i brendshëm që e bëjnë të veçantë. Do ta plotësoj në versionin e ri, që e kam në plan krijues. Do të më mbetet peng po nuk e bëra një figurë të veçantë të femrës, ndryshe nga klishetë që jemi mësuar të lexojmë.

Kush është heroi apo personazhi që adhuroni nga letërsia shqipe dhe pse?

Nuk e kam ndonjë hero të veçantë.

Po personazhi që e urreni më shumë nga letërsia shqipe?

Prapë nuk kam ndonjë përgjigje konkrete. I solla nëpër kokë disa figura, por nuk më kishte mbetur asnjë fije urrejtje për asnjërin prej tyre.

Cilën vepër, nga Antologjia e letërsisë Shqipe, e vlerësoni si më të mirën dhe pse?

“E madhe është gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit është proza më e fuqishme në letërsinë shqipe. Është e veçantë dhe emocionuese, dramatike, ka pasurinë gjuhësore dhe ka stil. Nuk e di sa e ka veçuar kritika letrare, sepse nuk i kam lexuar, por është prozë që të trondit me dramaticitetin dhe me stilin. Ka figura, atmosferë dhe narracion që është pothuajse skenar i gatshëm për film. Mëkat që asnjë kineast shqiptar nuk e ka provokuar kjo prozë perlë. Kuteli e ka edhe një prozë tjetër të mirë “Vjeshta e Xheladin beut”. E di që në vitin 1980 kjo novelë është bërë skenar filmi në TV Prishtinë, por pastaj për shkak të rrethanave të caktuara nuk u bë film. Por do t’i hyja në hak edhe romanit “Ulku dhe Uilli” të Vath Koreshit. Një roman që vonë e kam lexuar me këshillën e mirë të mikut tim Ermir Nika. Do ta fusja në kreun e librave të mirë të letërsisë shqipe.

Cilën vepër do ta hiqnit nga Antologjia e Letërsisë Shqipe?

Janë disa vepra që do t’i hiqja nga Antologjia e letërsisë shqipe, a nga planet e shkollave fillore e të mesme. Janë vepra të mërzitshme, nuk thonë asgjë, nuk kanë vlera letrare artistike, por janë krijuar kaste që i riciklojnë të njëjtët autorë dhe të njëjtat vepra. Kur më treguan para disa vjetësh studentët e mi nga Akademia e Filmit për këto “imponime” më dëshpëruan. Meqë secili student i regjisë së filmit ka obligim të lexojë sa më shumë letërsi shqipe, në mënyrë që të vjelë tema e subjekte për film, u thash ta ndjekin shijen e tyre e jo atë të kritikës zyrtare, apo imponimet e akademive.

Përtej të qenit vetja, kujt prej shkrimtarëve botërorë do të kishit dashur t’i ngjani?

Ernest Heminguejin dhe Erih Maria Remarkun i kisha model, por jo mësues të shkrimit. Pastaj Gabriel Garsia Markezi më mrekullonte me prozën e tij. Heminguej e Markezi kishin qenë edhe gazetarë, kishin bërë një jetë dinamike nëpër vende të ndryshme.