Në një operacion të profilit të lartë, të kryer nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë policor ndërkombëtar, mes Italisë dhe Spanjës, është identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar një shqiptar i shumëkërkuar, nga drejtësia e vendit fqinj, për trafik ndërkombëtar kokaine.
Operacioni u krye në Spanjë, ku shqiptari me origjinë nga Durrësi, emri i të cilit nuk u publikua, po fshihej prej vitit 2004, ndërsa ndaj tij kishte urdhër kërkimi ndërkombëtar dhe një dënim në mungesë.
Policia dhe Karabinieria e Fermo konfirmoi aksionin e dy ditëve më parë.
Ai kërkohej për vuajtjen e një dënimi të mbetur prej 4,5 vitesh burgim dhe një gjobe prej afërsisht 9,000 eurosh për komplot për shpërndarjen e narkotikëve dhe komplot për posedimin e armëve, të dyja të kryera në provincë.
“Shqiptari i arrestuar ishte në kërkim aktiv që nga viti 2004 dhe tani është në dispozicion të Gjykatës Qendrore Kombëtare të Madridit (Spanjë) në pritje të procedurave të dorëzimit dhe ekstradimit. Konkretisht, shqiptari, së bashku me të tjerë, ishte shpallur fajtor për furnizimin me kokainë, që arrin në afërsisht 340 doza mesatare ditore, si dhe për furnizimin me sasi të tjera të substancave narkotike si heroinë, kokainë dhe marihuanë”, informon media italiane.
Për më tepër, ai kishte poseduar në mënyrë të paligjshme marihuanë, me peshë afërsisht 2 kg – një sasi e konsiderueshme – me qëllim furnizimin e palëve të treta, dhe, së bashku me të tjerë, kishte poseduar municione për një armë zjarri të zakonshme pa leje.
Gjatë aktivitetit hetimor të kryer nga Karabinierët, për lokalizimin dhe kapjen e individëve të synuar nga masat shtrënguese, u bë e mundur të merreshin informacione të dobishme mbi shqiptarin, me indikacione të hollësishme në lidhje me vendndodhjen dhe praninë e tij fillimisht në Shqipëri, në zonën e Durrësit dhe më pas në Spanjë.







