Ballina Politika Rama shpërthen pas vendimit të Kushtetueses: “Shqipëria, shembulli i parë i një...

Rama shpërthen pas vendimit të Kushtetueses: “Shqipëria, shembulli i parë i një budallallëku botëror”. Paralajmëron ndryshime ne Kodin e Procedurës Penale

26
0

Kryeministri Edi Rama komentoi sot për herë të parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj qeverisjes dhe një precedent absurd institucional për Shqipërinë.

Në podcastin e tij, Rama tha se Gjykata Kushtetuese “nuk gjeti dot forcën për të mos lejuar marrjen peng të qeverisjes”, duke nënvizuar se mosvendimmarrja e saj e ktheu automatikisht në fuqi pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas tij, ky rast e bën Shqipërinë “për herë të dytë shembullin e parë të një budallallëku botëror”, një formulim i fortë që shënjon përplasjen e hapur mes ekzekutivit dhe drejtësisë së re.

Rama theksoi se thelbi i problemit nuk është akuza ndaj Ballukut, pasi ,siç tha ai, “ministrja nuk akuzohet për korrupsion”, por mënyra se si funksionon mekanizmi i pezullimit nga detyra.

Ai pranoi se në klimën aktuale politike dhe mediatike “qartësia është një luks”, por shtoi se qeveria nuk do të tërhiqet nga kjo përballje institucionale.

Në këtë linjë, kryeministri paralajmëroi edhe ndryshime në Kodin Penal lidhur me pezullimin nga detyra, duke e quajtur këtë masë një “shpikje 100% Albania e drejtësisë së re, të papjekur”.

“Zhbërja e kësaj shpikjeje mbetet domosdoshmëri për të rishiguruar pavarësinë ekzekutive të parlamentit”, deklaroi Rama.

Me këtë qëndrim, kryeministri sinjalizon se beteja politike dhe ligjore mes qeverisë dhe drejtësisë së re nuk është mbyllur me vendimin e Kushtetueses, por pritet të zhvendoset në terrenin legjislativ.