Ballina Ekonomia Regjistri i pronarëve përfitues zgjerohet me 27%, mbi 5 mijë biznese të...

Regjistri i pronarëve përfitues zgjerohet me 27%, mbi 5 mijë biznese të regjistruara

23
0

Gjatë vitit 2025, bizneset në Shqipëri kanë treguar një nivel më të lartë ndërgjegjësimi dhe përputhshmërie me detyrimet ligjore për deklarimin e pronarëve përfitues, një element kyç në rritjen e transparencës dhe luftën kundër pastrimit të parave.

Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), gjatë vitit të kaluar 5,356 subjekte kanë regjistruar pronarët e tyre përfitues në regjistrin përkatës, duke shënuar një rritje prej 27% krahasuar me vitin 2024.

Ky zhvillim pozitiv tregon jo vetëm respektim më të madh të ligjit, por edhe një ndryshim gradual në mentalitetin e biznesit, ku transparenca po shihet gjithnjë e më shumë si një avantazh konkurrues dhe jo thjesht si një detyrim administrativ.

Pronar përfitues konsiderohet individi që zotëron ose kontrollon, drejtpërdrejt apo tërthorazi, një subjekt juridik, ose në emër të të cilit realizohen transaksione dhe aktivitete ekonomike. Identifikimi i tij është thelbësor për të parandaluar fshehjen e pronësisë reale përmes strukturave formale, ortakëve fiktivë apo kompanive guaskë.

Deklarimi i saktë i pronarit përfitues rrit transparencën në treg, forcon besimin e institucioneve financiare, partnerëve dhe investitorëve, si dhe ndihmon në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sipas ligjit, të gjitha subjektet e regjistruara pranë QKB-së, me përjashtim të personave fizikë, janë të detyruara të deklarojnë pronarin përfitues brenda afateve ligjore, të përditësojnë të dhënat në rast ndryshimesh dhe të garantojnë saktësinë e informacionit të raportuar.

Për të lehtësuar këtë proces, QKB ka mundësuar kryerjen online të deklarimeve dhe përditësimeve përmes platformës elektronike zyrtare, duke e bërë procedurën më të shpejtë dhe duke reduktuar barrën administrative për bizneset.

Ligji parashikon masa ndëshkuese për subjektet që nuk i përmbushin këto detyrime. Gjobat nisin nga rreth 500 dollarë për vonesa në deklarim dhe arrijnë deri në 6 mijë dollarë në rastet kur konstatohet fshehje e qëllimshme e informacionit mbi pronësinë apo burimet financiare.

Regjistri i Pronarëve Përfitues përfshin shumicën e subjekteve juridike që operojnë në Shqipëri, si shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, shoqëritë kolektive dhe komandite, si dhe degët dhe përfaqësitë e kompanive të huaja.

Në listën e subjekteve të detyruara përfshihen gjithashtu shoqëritë e kursim-kreditit, unionet e tyre, shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ato bujqësore, si edhe organizatat jofitimprurëse, përfshirë fondacionet, shoqatat dhe qendrat.

Detyrimi vlen edhe për ndërmarrjet ku, krahas institucioneve shtetërore, aksionarë janë individë ose subjekte të tjera vendase apo të huaja.

Përjashtimet nga detyrimi

Nga regjistrimi përjashtohen personat fizikë tregtarë, subjektet ku aksionari i vetëm është një institucion qendror ose vendor, si dhe bashkësitë fetare dhe partitë politike.