Nga Klevis Bakillari
Diplomacia kur është e vërtetë, nuk bën zhurmë. Lë gjurmë. Dhe vetëm më pas kuptohet se diçka ka lëvizur. Kështu duhet lexuar edhe intensiteti i fundit i angazhimeve të Elisa Spiropalit: jo si paradë takimesh, por si përpjekje për ta zhvendosur Shqipërinë nga skaji i tryezës drejt qendrës së bisedës. Nga vendi që dëgjon, te vendi që ndërhyn.
Prej vitesh, politika e jashtme shqiptare ka folur me një zë të ulët, pothuajse apologjik, sikur prania e saj në arenën ndërkombëtare të ishte gjithmonë provizore. Sot, toni po ndryshon. Jo me britmë, por me këmbëngulje. Jo me retorikë boshe, por me kërkesë për vëmendje. Diplomacia po ridizajnohet si instrument ndikimi, si shtrirje e pushtetit politik, si pretendim për rol ; jo më si përkthyes i vullnetit të të tjerëve.
Në këtë rrjedhë, Shqipëria nuk paraqitet më si hall për t’u menaxhuar, por si faktor për t’u llogaritur. Marrëdhëniet bilaterale nuk vishen më me sentimentalizëm historik; ato lexohen si marrëveshje interesi, ku stabiliteti, territori, besnikëria strategjike dhe parashikueshmëria kthehen në monedhë politike. Këtu nuk ka miqësi naive. Ka pazar të heshtur, ku çdo buzëqeshje mbështetet mbi një kalkulim force.
Edhe prania në rritje diplomatike në Tiranë flet më shumë sesa duket. Ambasadat (si ajo belge e daneze)nuk hapen për simpati; ato hapen për interes. Dhe interesi do të thotë vëmendje, ndërhyrje, presion. Shqipëria po hyn në një fazë ku nuk mjafton më të dukesh mirë në sy të të tjerëve,po duhet të prodhosh qëndrueshmëri, rezultate, disiplinë. Ky është momenti kur mirësjellja zëvendësohet nga llogaria.
Në sfond, qëndrimi i palëkundur përkrah boshtit transatlantik shfaqet si zgjedhje e vetëdijshme për të braktisur paqartësinë rajonale. Nuk ka më lojë të dyfishtë, as balancime ballkanike. Ka rreshtim. Dhe rreshtimi, në politikën globale, është akt që të jep besueshmëri, por të kërkon kosto. Është zgjedhje për të qenë i parashikueshëm, edhe kur kjo të ngushton hapësirat e manovrimit.
Në këtë panoramë, Elisa Spiropali nuk shfaqet si figurë protokollare që administron axhenda, por si zë që kërkon ta ngarkojë diplomacinë shqiptare me nerv, ambicie dhe vetëdije pushteti. Një përpjekje për ta kthyer Shqipërinë nga objekt vëzhgimi në subjekt veprimi. Nga vend që pret sinjale, në vend që prodhon sinjale.
Sepse në fund, pyetja nuk është sa shpesh përmendet Shqipëria në tryeza ndërkombëtare, por sa e kushtueshme bëhet injorimi i saj. Diplomacia e re nuk matet me duartrokitje, por me ndikimin që krijohet kur flet. Dhe aty, pikërisht aty, po luhet pesha reale e kësaj faze politike.







