Ballina Sport Kalulu është shpëtimtari i Spallettit në fundin e ndeshjes, i ngrin buzëqeshjen...

Kalulu është shpëtimtari i Spallettit në fundin e ndeshjes, i ngrin buzëqeshjen lacialëve

28
0

Juventusi ka barazuar 2-2 me Lazion në kuadër të xhiros së 24-t të Serie A, në një ndeshje me ritëm të lartë, intensitet dhe shumë raste shënimi për të dyja skuadrat.

Bardhezinjtë e nisën takimin me presion të lartë dhe krijuan disa mundësi të mira në pjesën e parë, por mungoi finalizimi. Ndëshkimi erdhi në minutën e dytë shtesë të fraksionit të parë, kur Daniel Maldini asistoi për Pedro, i cili u tregua i saktë brenda zonës dhe kaloi Lazion në avantazh 0-1.

Fillimi i pjesës së dytë ishte edhe më i vështirë për Juventusin. Gustav Isaksen shfrytëzoi një pasim të Danilo Cataldit dhe me një goditje të bukur, ku topi preku edhe traversën, realizoi për 0-2.

Reagimi i Juventusit ishte i menjëhershëm. Presioni u shtua dhe në minutën e 59-të Weston McKennie ngushtoi rezultatin në 1-2, duke shënuar me kokë pas një krosimi të saktë nga Andrea Cambiaso.

Bardhezinjtë vazhduan të kërkonin me ngulm barazimin, duke krijuar raste të rrezikshme përmes Edon Zhegrovës, Kenan Yildizit dhe Manuel Locatellit, por portieri Ivan Provedel u tregua vendimtar, ndërsa disa tentativa përfunduan jashtë kuadratit.

Kur dukej se Lazio do të dilte me tri pikë nga Torino, Pierre Kalulu shënoi në minutat e fundit shtesë për 2-2, duke shpëtuar Juventusin nga humbja dhe duke i dhënë një pikë të vlefshme skuadrës së tij.

Pas këtij barazimi, Juventusi mbetet në vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Lazio ngjitet në pozitën e tetë me 35 pikë, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në garat evropiane.