Ballina Kronika Krijoi një skemë mashtrimi fiskale me 150 mln lekë shitje fiktive, arrestohet...

Krijoi një skemë mashtrimi fiskale me 150 mln lekë shitje fiktive, arrestohet një person në Tiranë! I shkaktoi 62 mln lekë dëm buxhetit të shtetit

23
0

Një person është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë mashtruese fiskale që i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

Sipas hetimeve, subjekti tregtar “Dorina Fela” ka kryer shitje fiktive në vlerë rreth 150 milionë lekë, përmes deklarimeve të rreme dhe faturave fiktive. Si pasojë, dëmi i përllogaritur ndaj shtetit arrin mbi 62 milionë lekë.

Shtetasi i arrestuar Gjergji Fela dyshohet se ka organizuar dhe drejtuar këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar në emër të bashkëshortes së tij, me qëllim përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe uljen e tatimit mbi fitimin.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për  “Krijim të skemave mashtruese lidhur me TVSH-në” dhe “Fshehje të ardhurash”.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës: 

Krijoi skemë mashtruese fiskale me 150 mln lekë shitje fiktive duke dëmtuar buxhetin e shtetit, me kërkesë të Prokurorisë Tiranë arrestohet shtetasi Gj.F.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u arrestua shtetasi Gj.F., i dyshuar për veprat penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)’ dhe ‘Fshehje e të ardhurave’ parashikuar nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penl nr.5787 të vitit 2024, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorin e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, rezultoi se subjekti tregtar ‘Dorina Fela’, ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë, duke shkaktuar një dëm të përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 62,670,861 lekë.

Këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, u ndalua shtetasi Gj.F., i dyshuar për përfshirje në kryerjen e veprimeve të paligjshme. Nga veprimet e deritanishme, rezultoi se ky shtetas ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari, duke përdorur subjektin në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj.