Ballina Aktualitet Ligji i ri për gjuetinë, gjoba deri në 1.3 lekë për shkeljet!...

Ligji i ri për gjuetinë, gjoba deri në 1.3 lekë për shkeljet! Vërejtjet nga shoqatat e gjuetarëve

0
26

Ligji i ri për gjuetinë përcakton masa të ashpra ndëshkuese për shkelësit. Gjobat për gjuetinë në zona të ndaluara, për kapjen e specieve jashtë listës së lejuar apo për ushtrimin e gjuetisë pa leje vardojnë nga 500 mijë lekë deri në 1.3 milion lekë. Ndërkohë, Federata Kombëtare e Gjuetisë ka propozuar më herët që gjuetia të rikthehet si sport i licencuar kundrejt pagesës, duke vlerësuar se ky model mund të gjenerojë deri në 12 milionë euro të ardhura vjetore për buxhetin e shtetit

Ligji i ri për gjuetinë, sipas Shoqatës së Gjuetarëve në Shkodër, megjithëse prezantohet si një instrument modern për menaxhimin e faunës së egër, ngre më shumë problematika sesa zgjidhje. Kryetari i shoqatës, Zyhdi Mustafa, deklaron se disa prej neneve të projektligjit, veçanërisht ato që lidhen me administrimin e zonave të gjuetisë, penalizojnë pjesën më të madhe të gjuetarëve.

“Ligji i ri që ka dalë në disa pika na dënon ne. Ligji thotë se gjuetinë do ta marrë në administrim persona fizik dhe juridik. Kjo është ta shkatërruar gjuetinë, që një njeri i vetëm të administrojë një zonë të tërë”, tha ai.

Një tjetër pikë e kontestuar është ndalimi i përdorimit të armëve gjysmë automatike. Drejtuesit e shoqatës argumentojnë se kjo masë prek drejtpërdrejt gjuetarët e licencuar, duke e bërë më të vështirë ushtrimin e aktivitetit. Federata Kombëtare e Gjuetisë pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me një memorandum, për rishikimin e disa neneve të projektligjit të miratuar në dhjetor 2025.

“Jemi duke përgatitur një draft për të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese ku do kundërshtojmë përveç administrimit të zonave nga persona fizik e juridik, dhe kundërshtimin e pikës ku thotë të mos përdoren armë gjysmë-automatike. Ne nuk jemi të parët që kemi përdorur këto armë, por janë tregtuar nga Evropa”, tha Mustafa.